Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 662 prot. i AK, datë 28.07.2026 “Njoftim përqendrimi”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar të përftimit të kontrollit të përbashkët të shoqërisë cellcentric GmbH & Co.KG nga shoqëritë Toyota Motor Corporation, Aktiebolaget Volvo dhe Daimler Truck AG.
Referuar dokumentit “Marrëveshje Investimi”, palët në marrëveshje janë:
Pala 1: Toyota Motor Corporation është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit të Japonisë me objekt aktiviteti prodhimi, shitja, dhënia me qira dhe riparimi i automobilave, mjeteve industriale, anijeve, avionëve, pajisjeve të tjera të transportit dhe pajisjeve hapësinore, si dhe pjesëve të tyre; prodhimi, shitja, dhënia me qera dhe riparimi i makinerive dhe pajisjeve industriale dhe pjesëve të tyre, pajisjeve elektrike dhe pjesëve të tyre, riparimi i instrumenteve matëse, instrumenteve mjekësore dhe pjesëve të tyre; transporti tokësor, detar, ajror, trajtimi i ngarkesave, magazinimi dhe shërbimet e agjencieve të udhëtimit etj.
Pala 2: Aktiebolaget Volvo është një shoqëri publike e kufizuar, e regjistruar sipas legjislacionit të Suedisë, aktive globalisht në prodhimin dhe shitjen e kamionëve, autobusëve, pajisjeve të ndërtimit, motorëve detarë, motorëve industrialë për aplikime jashtë rrugës dhe gjenerimit të energjisë, si dhe motorëve për automjete në autostradë.
Pala 3: Daimler Truck AG është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas ligjeve të Gjermanisë, me. Objekti i shoqërisë është veprimtaria e drejtpërdrejtë ose e tërthortë në fushën e zhvillimit, prodhimit dhe shitjes së produkteve, si dhe ofrimi i shërbimeve, veçanërisht në këto sektorë: automjetet, veçanërisht automjete komerciale dhe autobusë, motorë dhe sisteme teknike shtytëse të çdo lloji, përfshirë pjesët, komponentët dhe aksesorët e tyre; produkte të tjera të teknologjisë së transportit; pajisjet, instalimet dhe sistemet elektronike; shërbimet dhe konceptet e lëvizshmërisë dhe transportit etj.
Në Shqipëri, palët në transaksion realizojnë të ardhura nëpërmjet importuesve dhe shpërndarësve të pavarur vendas.
Shoqëria target: cellcentric GmbH & Co. KG është një sipërmarrje e përbashkët me funksione të plota, e themeluar sipas legjislacionit të Gjermanisë. cellcentric GmbH & Co. KG zhvillon, prodhon dhe tregton sisteme qelizash karburanti me hidrogjen (FCS) për përdorim në kamionë të rëndë dhe aplikime të tjera me kërkesa të krahasueshme në të gjithë botën, duke përfshirë autobusë dhe automjete të tjera të rënda. Sistemet e qelizave të karburantit të cellcentric, veçanërisht BZA375 i saj, janë ende në zhvillim.
Shoqëria Target nuk ka prani dhe aktivitete në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
