Autoriteti i Konkurrencës ka hartuar Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2025 dhe rekomandimet për vitin 2026”. Plani përcakton masat konkrete, afatet dhe strukturat përgjegjëse për zbatimin dhe ndjekjen e rekomandimeve të Kuvendit.
Në zbatim të Planit, Autoriteti do të përqendrojë veprimtarinë e tij në disa drejtime kryesore:
- përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar të konkurrencës me acquis të Bashkimit Evropian, përfshirë analizimin dhe vlerësimin e 82 akteve të identifikuara në kuadër të Kapitullit 8 “Politika e konkurrencës”;
- prioritizimin e monitorimeve dhe procedurave hetimore në tregjet me problematika më të theksuara për konkurrencën dhe interesin publik, si dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet publike, entet rregullatore dhe autoritetet homologe të konkurrencës;
- rritjen e aksesit të qytetarëve dhe bizneseve në instrumentin e ankesës, përmes përmirësimit të informacionit, formateve orientuese dhe përdorimit të mjeteve elektronike;
- vijimin ose zhvillimin me prioritet të monitorimeve dhe procedurave në tregje të rëndësishme, përfshirë sigurimet TPL/MTPL, hidrokarburet, shërbimet spitalore private, shërbimet televizive me pagesë dhe platformat OTT/IPTV, si dhe tregun me pakicë të shërbimeve celulare;
- forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe monitorimit të performancës institucionale, përmes bashkëpunimit me Kuvendin për treguesit kyç të performancës, përditësimit sistematik të informacionit publik dhe raportimit periodik mbi zbatimin e rekomandimeve.
Autoriteti i Konkurrencës do të ndjekë në vazhdimësi realizimin e Planit dhe do të informojë Kuvendin mbi ecurinë e zbatimit të rekomandimeve. Për çështjet që lidhen me monitorime dhe procedura hetimore, veprimet dhe raportimi do të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi, fazën procedurale dhe garancitë e palëve, duke ruajtur pavarësinë vendimmarrëse të Komisionit të Konkurrencës.
