Pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar shkresa nr. 267 prot., i AK, datë 10.03.2026, “Shkresë përcjellëse- Dorëzohet Formulari i Njoftimit te Përqendrimit”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e blerjes se 50% të kuotave në shoqërinë Infotelecom – Albsolar 1 SHPK nga shoqëria TIRANA INTERNATIONAL DEVELOPMENT SHPK.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala blerëse: TIRANA INTERNATIONAL DEVELOPMENT SHPK (TID) është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: marrja përsipër e hartimit të projekteve të ndryshme ndërtimore të fushave të ndryshme dhe të realizimit të ndërtimit në përgjithësi; ndërtim në fushën e turizmit, të infrastrukturës, qendrave të biznesit, aktivitet në blerjen, shitjen, qiradhënien e zyrave, ambienteve tregtare dhe/ose pasurive të tjera të paluajtshme, etj.
Pala shitëse: INFO-Telecom SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: ofrimin e shërbimeve dhe çdo aktivitet në fushën e telekomunikacionit të përcaktuara në legjislacionin përkatës shqiptar. Përfaqësimi i shoqërive të ndryshme të huaja në territorin shqiptar. Aktivitete në blerjen, shitjen, qiradhënien e zyrave, ambienteve tregtare dhe/ose pasurive të tjera të paluajtshme, etj.
Shoqëria target: Infotelecom – Albsolar 1 SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: veprimtari në fushën e prodhimit të energjisë elektrike të rinovueshme siç është prodhimi i energjisë nga burime fotovoltaike, ruajtja dhe tregtimi i kësaj energjie brenda dhe jashtë vendit. Sipas legjislacionit në fuqi, shoqëria mund të kryeje çdo aktivitet të konsideruar të dobishëm apo të nevojshëm, për arritjen e objektivave të saj, i cili lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi me objektin e veprimtarisë dhe që është në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Shoqëria zotërohet tërësisht nga shoqëria INFO-Telecom SHPK.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
