Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 791 prot. i AK, datë 10.09.2025 “Njoftim përqendrimi”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit të vetëm të shoqërisë Mercator-Emba, proizvodnja hrane, d.o.o. nga shoqëria AGRANA Internationale Verwaltungs-und Asset-Management GmbH.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Blerësi: AGRANA Internationale Verwaltungs-und Asset-Management GmbH është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit austriak, me objekt aktiviteti: menaxhim i aksioneve dhe investimeve.
Shoqëria AGRANA Internationale Verwaltungs-und Asset-Management GmbH është pjesë e Grupit AGRANA.
Grupi AGRANA është një përpunues i lëndëve të para bujqësore, të cilat janë të strukturuara në tre divizione operative: sheqer, niseshte dhe fruta.
Grupi AGRANA është prezent në Shqipëri përmes filialit të saj AGRANA-STUDEN Albania SHPK.
Shitësi: Poslovni sistem Mercator d.o.o. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Sllovenisë, e regjistruar në Ljubljanë.
Target: Mercator – Emba, proizvodnja hrane, d.o.o. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Sllovenisë, një nga prodhuesit kryesorë të mbushjeve për ëmbëlsira dhe produkteve të kakaos së menjëhershme në Evropën Juglindore.
Mercator – Emba prodhon një gamë të gjerë produktesh të përshtatshme për industrinë e qumështit dhe akullores; përgatitje të tipit kakao / çokollatë; produkte të tipit karamel; përgatitje frutash me copa frutash, manaferra të plota ose pure; aroma të tjera si vanilje, arra, vezë etj.
Shoqëria Target nuk ka prezencë ligjore dhe nuk ka realizuar të ardhura në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
