Nënshkruhet Marrëveshja e Partneritetit Institucional midis Autoritetit të Konkurrencës dhe Qeverisë Gjermane për forcimin e zbatimit të ligjit të konkurrencës në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE

Tiranë, 5 nëntor 2025 — Në ambientet e GIZ Albania u nënshkrua sot Marrëveshja e Partneritetit Institucional midis Autoritetit të Konkurrencës dhe Qeverisë Gjermane për forcimin e zbatimit të ligjit të konkurrencës në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, një dokument i rëndësishëm që vendos bazat e një partneriteti të ri institucional midis Ministrisë Federale për Çështjet Ekonomike dhe Energjinë të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Autoritetit të Konkurrencës së Shqipërisë (AK).

Ceremonia u përshëndet fillimisht nga Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, z. Karl Bergner, i cili theksoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për forcimin e institucioneve shqiptare, veçanërisht atyre që kontribuojnë drejtpërdrejt në procesin e integrimit europian. Ai nënvizoi rëndësinë që ka konkurrenca e ndershme për ekonominë e tregut dhe përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Më pas, fjalën e mori z. Denar Biba, Kryetar i Autoritetit të Konkurrencës, i cili vlerësoi partneritetin e ri si një hap cilësor drejt modernizimit të praktikave të zbatimit të ligjit, rritjes së kapaciteteve profesionale të institucionit dhe forcimit të kulturës së konkurrencës në vend. Z. Biba theksoi se bashkëpunimi me institucionet gjermane sjell ekspertizë të paçmuar, sidomos në fushat e antitrustit, kontrollit të përqendrimeve, bashkëpunimit me gjyqësorin dhe përdorimit të standardeve të BE-së.

Marrëveshja synon të:

  • forcojë kapacitetet e Autoritetit të Konkurrencës në zbatimin e ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”,
  • harmonizojë praktikat hetimore dhe metodologjitë me acquis të BE-së,
  • zhvillojë një program të plotë partneriteti institucional me shkëmbime ekspertësh dhe asistencë teknike,
  • mbështesë avokatinë e konkurrencës dhe komunikimin institucional.

Nënshkrimi i kësaj nisme të re përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të institucioneve të konkurrencës në Shqipëri, modernizimit të kulturës rregullatore dhe rritjes së transparencës e profesionalizmit në funksion të integrimit europian. Autoriteti i Konkurrencës mbetet i përkushtuar ndaj ndërtimit të një ekonomie funksionale tregu ku konkurrenca e ndershme shërben si mekanizëm themelor për zhvillimin dhe mirëqenien e konsumatorëve.

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.

    Skip to content