Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 788 prot. i AK, datë 10.09.2025 “Njoftim në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, me të cilën jemi njoftuar lidhur me transaksionin e propozuar për krijimin e një ndërmarrje të përbashkët me funksione të plota M.K.D SHA nga shoqëritë KAYO SHA dhe MSSC SHPK.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala 1: KAYO SHA është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: projektimin, prodhimin, riparimin, demilitarizimin, asgjësimin dhe tregtimin, brenda dhe jashtë vendit, të të gjitha llojeve të armëve ose pjesëve të armëve, përfshirë edhe armët ushtarake, të municioneve, të teknologjive dhe pajisjeve ushtarake, uniformat, mjetet, pajisjet dhe sistemet e armatimit e komunikimit si dhe çdo aktivitet të lidhur me këtë veprimtari, në funksion të politikave kombëtare të sigurisë e mbrojtjes dhe rritjes së kapaciteteve ushtarake.
Pala 2: MSSC SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: import-eksport, tregtimin e artikujve të ndryshëm të gjitha llojeve, me shumicë e pakicë si uniforma dhe pajisje ndihmëse për ushtrinë dhe policinë, sisteme alarmi, vëzhgimi GPS, dylbi dhe shënjestra holografike, si dhe të gjitha pajisjet ndihmëse, aparate rezistente kundra shpërthimeve, thyerjeve dhe dëmtimeve; pajisje antiplumb, pajisje elektronike të të gjitha llojeve, pranga, shkopinj gome, aparatura të ndryshme survejimi si dhe çdo aksesor tjetër të nevojshëm për policinë dhe ushtrinë; import dhe tregtim i materialeve të gjuetisë, përfshirë edhe materialet me përdorim të 2-fishtë; import-eksport i të gjitha mallrave ushtarake duke përfshirë municionet dhe të gjitha llojet e armatimeve; import-eksport dhe tregtim i armëve, pjesëve dhe municioneve të kategorive “B1” “B4” “C” dhe “D”; qendër trajnimi për aftësimin teorik dhe praktik të personave për mbajtjen e armës; qendër e Trajnimit Privat të punonjësve të “SHPSF”; transporti i armëve, pjesëve dhe municioneve të tyre të kategorive “B1” , “B4”, “C” “D”; Poligon Civil Qitje i Mbyllur dhe pikë rekreative (bar -kafe) në funksion të tij; Poligon Civil Qitjes i Hapur dhe me Pjatel dhe pikë rekreative (bar-restorant-pishinë) në funksion të tij si dhe çdo aktivitet tjetër ndihmës për të përmbushur dhe realizuar objektin e shoqërisë.
Ndërmarrja e përbashkët (JV): M.K.D SHA është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare si dhe prodhimin dhe tregtimin e municioneve për Forcat e Armatosura, si dhe municionet për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
