Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa 879 prot. i AK, datë 06.10.2025 “Njoftim përqendrimi”, jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi blerjen e 100% të aksioneve të shoqërisë Tring TV SHA nga shoqëria Vertex Holding SHPK.
Referuar dokumentit “Kontratë Shitje dhe Blerje Aksionesh”, nënshkruar më datë 02 tetor 2025, palët në marrëveshje janë:
Blerësi: Vertex Holding SHPK është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar dhe objekt aktiviteti: Veprimtari në fushën e aktiviteteve të shoqërive holding. Shitblerje aksionesh. Përveç kësaj në përputhje me legjislacionin shqiptar, shoqëria mund të kryej çdo aktivitet që lidhet direkt ose indirekt, që është rezultat ose lidhet me objektivin e mësipërm. Për arritjen e qëllimit të mësipërm, shoqëria mund të kryejë çdo transaksion lidhur me pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, dhe çdo aktivitet tjetër tregtar, financiar, qeraje ose hipoteke, që mund te konsiderohet i vlefshëm ose i nevojshëm në mënyrë që të ushtrohet objekti i shoqërisë.
Ortak i vetëm i shoqërisë blerëse është z.Valon Shala.
Shitësi: CONCORD INVESTMENT SHPK është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar dhe objekt aktiviteti: Investimi, zbatimi, zhvillimi, menaxhimi i zonave civile, industriale, turistike, si edhe shërbimeve të tjera të veprimtarive tregtare të ngjashme ose të lidhura me to. Kryerja e veprimtarive tregtare në fushën e ndërtimit, për prodhim dhe shitblerje të materialeve të ndërtimit. Kryerja e aktivitetit për investimin në fushën e ndërtimit, në komplekse civile, turistike, industriale, sociale, komplekseve të tregtimit dhe të shërbimit bar-restorant-hoteleri etj. Pjesëmarrje në projekte ndërtimore, si sipërmarrës, investitor, konsulent, si dhe marrjen përsipër të menaxhimit të tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Prodhimi dhe tregëtimi me shumicë dhe pakicë i materialeve të ndërtimit, import eksport i tyre brenda dhe jashtë vendit për llogari të vetë shoqërisë si dhe të tretëve, ku përfshihen inerte, gurë, gurë dekorative, gëlqere, pllaka parafabrikate, llaç, çimento, rërë dhe çdo material tjetër për ndërtim. Zhvillimi dhe ndërmjetësimi i projekteve për rikonstruksionin e ndërmarrjeve industriale. Kontraktimi me persona fizikë dhe juridikë vendas ose të huaj për gjetjen e tregjeve të shitjes për prodhimet dhe punë të shoqërisë. Blerje-Shitje të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme (prona të ndryshme, si trojë, toka bujqësore, apartamente banimi, ambiente shërbimi dhe tregtimi etj., pasuri këto në pronësi të shoqërisë ose në pronësi të shoqërive të tjera, personave fizikë apo juridike, të cilët e autorizojnë për përfaqësim shoqërinë, për blerje-shitje.
Concord Investmen SHPK, kontrollohet nga ortakët Adrian Dulaku, Artan Dulaku dhe Genci Dulaku.
Shoqëria Target: Tring TV SHA është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: Veprimtari ekskluzive audiovizive. Në funksion të veprimtarisë ekskluzive audiovizive ushtron dhe veprimtari në ndërtimin e sistemeve të telekomunikacionit dhe transmetimeve audiovizive dhe ripërsëritjen e tyre në çdo lloji transmetimi (satelitor tokësor, kabllor, IPTV,OTT, Internet TV) në formë të koduar apo të pakoduar, me anë të zërit, figurës, sinjaleve të koduara, shkrimit të destinuara për publikun nëpërmjet valëve elektromagnetike, kabllove, përsëritësve, sateliteve apo me çdo mjet tjetër. Në funksion të veprimtarisë ekskluzive audiovizive ushtron dhe veprimtari në tregtimin e aparaturave për sistemet e transmetimit dhe marrjes së valëve audiovizive. Në funksion të veprimtarisë ekskluzive audiovizive ushtron dhe veprimtari në ndërtimin dhe shfrytëzimin e rrjeteve numerike, për transmentimin satelitor, tokësor, kabllor IPTV, OTT, Internet TV me qëllim ofrimin e shërbimit të transmetimit për publikun. Në funksion të veprimtarisë ekskluzive audiovizive ushtron dhe veprimtari në prodhimin, transmetimin, ritransmetimin dhe shitjen në mënyrë dixhitale të produkteve dhe shërbimeve audio e video. etj.
Shoqëria target kontrollohet drejtpërdrejt nga shoqëria Concord Investmen SHPK.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
