Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr.761 prot., i AK, datë 29.08.2025, “Depozitimi i njoftimit në lidhje me transaksionin midis bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Raiffeisen društvo za upravljanje obveznim i dobrovoljnim mirovinskim fondovima d.d. në cilësinë e investitorëve / blerësve, dhe IN – EKO PLUS d.o.o. në cilësinë e shitësit”, ku jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit të përbashkët të shoqërisë IE – ENERGY PROJEKT d.d. nga shoqëritë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Raiffeisen društvo za upravljanje obveznim i dobrovoljnim mirovinskim fondovima d.d. dhe IND – EKO PLUS d.o.o.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Blerësi 1: Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ( BERZH ) është një institucion financiar ndërkombëtar që mbështet zhvillimin e ekonomive të tregut përmes investimeve tregtare. Aktiviteti i saj përfshin financimin e projekteve të sektorit privat duke ofruar kredi, investime në kapital dhe garanci. Banka investon në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë infrastrukturën, energjinë, prodhimin, bujqësinë dhe financën.
Blerësi 2: RMF është një shoqëri e specializuar në menaxhimin e fondeve të detyrueshme dhe vullnetare të pensioneve në Kroaci. Aksionari i vetëm i RMF është Raiffeisen Bank Austria d.d., Zagreb, Kroaci, i cili zotërohet plotësisht në mënyrë indirekte nga Raiffeisen Bank International AG (RBI).
RBI është e pranishme dhe ka realizuar të ardhura në Shqipëri.
Target: IE-ENERGY PROJEKT d.d. (TopCo) është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit kroat, e krijuar si një shoqëri holding që të zotërojë kuota në subjekte të tjera.
IE – ENERGY PROJEKT d.d. zotëron shoqëritë:
IE-ENERGY d.d. (AssetCo) është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit kroat, i cili do të zhvillojë dhe ndërtojë një sistem të ruajtjes së energjisë në bateri deri në 60 MW dhe një Termocentral Virtual në Sibenik, Kroaci.
NGEN Smart Energy Systems d.o.o. (OpCo) është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit kroat, i cili do të operojë asetet e AssetCo për qëllime të tregtimit të energjisë elektrike.
Shoqëria Target nuk ka prezencë ligjore dhe nuk ka realizuar të ardhura në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
