Rasti: Përftimi i kontrollit të përbashkët të shoqërisë Sauber Holding AG dhe filialeve të saj Sauber Motorsport AG dhe Sauber Technologies AG, nga shoqëritë AUDI Aktiengesellschaft dhe Qatar Holding LLC.

Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 833 prot. i AK, datë 17.12.2024 “Njoftim Përqendrimi”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e përftimit të kontrollit të përbashkët të shoqërisë Sauber Holding AG dhe filialeve të saj Sauber Motorsport AG dhe Sauber Technologies AG, nga shoqëritë AUDI Aktiengesellschaft dhe Qatar Holding LLC.

Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:

Pala 1: Qatar Holding LLC është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të shtetit të Katarit, e cila investon ndërkombëtarisht dhe lokalisht në kapital strategjik privat dhe publik. Qatar Holding është në pronësi të plotë të Autoritetit të Investimeve të Katarit, një fond sovran investimesh.

Pala 2: AUDI Aktiengesellschaft është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit të Gjermanisë, me objekt aktiviteti: zhvillimi, prodhimi dhe shpërndarja e mjeteve motorike si dhe automjeteve dhe motorëve të të gjitha llojeve, aksesorëve të tyre si dhe të gjitha makinerive, veglave dhe artikujve të tjerë teknikë. AUDI është një filial në pronësi të plotë Volkswagen Aktiengesellschaft, shoqëria mëmë e Volkswagen Group.

Grupi Volkswagen  operon në Shqipëri përmes shoqërive të zotëruar indirekt prej tij, Porsche Albania SHPK dhe Porsche Leasing SHPK.

Target: Sauber Holding AG është një shoqëri holding, e themeluar sipas legjislacionit të Zvicrës.

Sauber Holding AG ka dy filiale operative: Sauber Motorsport AG (SMAG) dhe Sauber Technologies AG (STAG). SMAG ka qenë aktive në një sërë ngjarjesh motorsporti. Ajo është aktive gjithashtu në sportet elektronike F1 (e-sports) dhe në zhvillimin e pilotëve të rinj në akademinë e saj. STAG është aktive në aktivitetet e R & D (kërkim, zhvillim) të motorsport dhe ofron ekspertizë të nxitur nga F1 në inxhinieri, prodhim dhe aerodinamikë për palët e treta.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin  10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.

 Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.     

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.