Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 29.03.2024, mori në shqyrtim 2 njoftime përqendrimi.
- Përqendrimi lidhur me transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit të vetëm të shoqërisë Fortenova Group MidCo B.V. dhe tërthorazi mbi Fortenova Group nga shoqëria Open Pass Limited.
Transaksioni nuk do të krijojë mbivendosje ose marrëdhënie të rrjedhës së sipërme apo të poshtme midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar dhe për këto arsye, nuk do të sjellë ndryshim dhe nuk do të ketë ndikim në tregun shqiptar.
- Përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë EUROSIG SHA nga shoqëria EURO-ALBA-EA SHPK.
Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr.1067, datë 29.03.2024, vendosi të autorizojë përqendrimin lidhur me transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit të vetëm të shoqërisë Fortenova Group MidCo B.V. dhe tërthorazi mbi Fortenova Group nga shoqëria Open Pass Limited dhe me Vendimin nr. 1068, datë 29.03.2024, vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë EUROSIG SHA nga shoqëria EURO-ALBA-EA SHPK.
Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës mori në shqyrtim dokumentit e AKEP “Analiza e tregjeve me shumicë të aksesit broadband fiks”, i cili është dërguar për këshillim publik pranë Autoritetit të Konkurrencës.
Meqenëse AKEP, aktualisht është përpara marrjes së Vendimit për miratimin e analizës së tregut “Analiza e tregjeve me shumicë të aksesit broadband fiks”, vlerësojmë se është e nevojshme që AKEP për të përmbushur qëllimin dhe objektivat rregullatore, të përcaktuara nga ligji, të përcaktojë ndërmarrjen One Albania SHA me fuqi të ndjeshme në: (i) tregun e aksesit lokal me shumicë të ofruar në një vendndodhje fikse (WLA); (ii) tregun e aksesit qendror me shumicë të ofruar në një vendndodhje fikse për produktet e tregut të përgjithshëm (WCA); (iii) tregun e aksesit me shumicë me cilësi të lartë të ofruar në një vendndodhje fikse (WHQA) dhe të ndërmarrë masat rregulluese, për të mos lejuar praktika antikonkurruese.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin nr.1069, datë 29.03.2024, vendosi ti rekomandojë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, si vijon:
- Mbajtjen e detyrimeve rregullatore ex-ante të vendosura aktualisht për ndërmarrjen One Albania në:
- tregun e aksesit lokal me shumicë të ofruar në një vendndodhje fikse (WLA);
- tregun e aksesit qendror me shumicë të ofruar në një vendndodhje fikse për produktet e tregut të përgjithshëm (WCA);
- tregun e aksesit me shumicë me cilësi të lartë të ofruar në një vendndodhje fikse (WHQA).
- Ndërhyrjen rregullatore dhe marrjen e masave përkatëse nga ana e AKEP në tregun me shumicë për infrastrukturën fizike pasive ndërurbane, për të adresuar problematikat që shkaktohen nga mospasja e konkurrencës në këtë treg.
Për më tepër, ju lutem konsultoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në http://caa.gov.al.