Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr.746 prot., i AK, datë 28.12.2023, “Përqendrimi nëpërmjet fitimit të kontrollit të vetëm të Fortenova Group MidCo B.V. nga shoqëria Open Pass Limited -Njoftim në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, ku jemi njoftuar mbi transaksionin e synuar.
Referuar “Marrëveshje për mbështetjen e transaksionit”, palët janë:
-Open Pass Limited është një shoqëri holding, e themeluar sipas legjislacionit të Maltës, pjesë e Grupit PV, i cili është aktiv në furnizimin me shumicë të frutave dhe perimeve; tregtimin, importin dhe furnizimin me gaz natyror; si dhe në fushën e transportit hekurudhor në Kroaci etj.
Grupi PV nuk është prezent në Shqipëri dhe nuk ka realizuar të ardhura nga shitja e mallrave dhe shërbimeve.
Target: Fortenova Group MidCo B.V. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e organizuar sipas legjislacionit të Hollandës, e cila operon si shoqëri financiare holding. Target së bashku me shoqëritë nën kontrollin e saj të drejtpërdrejtë apo të tërthortë përbëjnë Grupin Fortenova.
Grupi Fortenova ka si veprimtari kryesore të tij: prodhimin e frutave dhe perimeve të freskëta, drithërave, si dhe funksionimin e fermave të bagëtive; prodhimin dhe furnizimin e ushqimeve të përpunuara, si vajra ushqimorë, margarinë, majonezë, djath dhe produkte mishi; furnizimin me pakicë të mallrave të konsumit të përditshëm ushqimor dhe jo ushqimor etj.
Grupi Fortenova realizon të ardhura në Shqipëri nëpërmjet shitjes së produkteve: vajra ushqimorë, mish i përpunuar, erëza / salca të ftohta, pije joalkoolike, salca për bukën, yndyrë perimesh, pije me bazë kakao, salca ëmbëlsirash, yndyrna bimore etj.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.