Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 278/37 prot., datë 14.11.2023 “Njoftim”, ku jemi njoftuar se shoqëritë AGNA SHA, LARTI – SHPK dhe FIX PRO SHPK, me qëllim bashkëpunimin në fushën e ndërtimit, do të krijojnë një ndërmarje të përbashkët me funksione të plota.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala 1: AGNA SHA është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: import-export i mallrave industriale e ushqimore, materiale ndërtimi, prodhime bujqësore dhe blegtorale, prodhim e shitje pije alkolike; aktive në fushën e investimit në ndërtim, në fushën e shitblerjes së trojeve për ndërtim, për turizëm, fshatra turistike, moteleri dhe hoteleri; tregtim import – eksport i produkteve dhe nënprodukteve të duhanit; shitblerje, marrje ose dhënie me qera të pasurive të paluajtshme dhe atyre të luajtshme; veprimtari trajnuese dhe certifikuese të punonjësve të administratës publike, punonjësve të institucioneve arsimore; auditimi etj.
Pala 2: LARTI – SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: import-eksport dhe tregtim i artikujve të ndryshëm; transport i mallrave të të gjitha llojeve; punime druri, zdrukthtarie, mobilje, orendi, ndërtim i objekteve të ndryshme bujqësore, industriale e godina banimi etj.; grumbullim, përpunim, tregtim skrap hekuri dhe metalesh me ngjyra; punime elektrike të objekteve industriale dhe civile etj.
Pala 3: FIX PRO SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: prodhim sallami dhe nënprodukte ushqimore, import-eksport, tregti me shumicë e pakicë e mishit dhe nënprodukteve të tij; bar-kafe, restorant, hoteleri; suport teknik me forcë punëtore; prodhim dhe tregtim energjie; shpërndarje, delivery & take away etj.
Ndërmarrja e përbashkët (JV): Shtëpia e Pritjes SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: investime në fushën e ndërtimit duke përfshirë të gjitha llojet e ndërtimeve që kanë lidhje me fshatra turistikë, komplekse banimi, objekte polifunksionale apo vila e ndërtime të veçanta; ndërtim në fushën e turizmit, infrastrukturës, qendrave të biznesit, të banimit, atyre multifunksionale apo vilave të banimit, me qëllim shitjen, dhënien me qera apo realizimin e çdo transaksioni të lejueshëm nga legjislacioni shqiptar, administrim dhe mirëmbajtje të të gjithë elementëve për godinat e ndërtuara, të rikonstruktuara, sipërfaqeve urbane, rrugëve e shesheve brenda dhe jashtë komplekseve të ndryshëm ndërtimorë, administrim dhe mirëmbajtje e të gjithë elementëve për fshatra turistikë etj.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me fax (Nr. 0355 4 2234 497), me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.