Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr.442 prot., i AK, datë 07.08.2023, “DS Smith Packaging South East GmbH / BOSIS DOO VALJEVO”, ku jemi njoftuar, në lidhje me transaksionin e propozuar mbi blerjen nga shoqëria DS Smith Packaging South East GmbH të 100% të kuotave dhe marrjen e kontrollit të vetëm të shoqërisë BOSIS DOO VALJEVO.
Referuar dokumentit “Marrëveshje për blerjen e kuotës”, palët janë:
Pala blerëse: DS Smith Packaging South East GmbH është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit austriak, një filial i zotëruar indirekt nga DS Smith Plc., kompania mëmë e grupit të shoqërive DS Smith. DS Smith Group është aktive kryesisht në prodhimin dhe shitjen e ambalazheve të valëzuar.
DS Smith Group nuk ka prezencë ligjore të regjistruar në Shqipëri por ka gjeneruar të ardhura nëpërmjet eksportimit të produkteve të ambalazhit të valëzuar nga filialet e saj në Maqedoninë e Veriut, Greqi dhe Itali.
Pala shitëse: Z. BP është shtetas i Republikës së Serbisë, i cili zotëron 100% kuotat e shoqërisë BOSIS DOO VALJEVO.
Target: BOSIS DOO VALJEVO është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit serb, me objekt aktiviteti prodhimi i letrës dhe kartonit të valëzuar dhe ambalazheve të letrës dhe kartonit. Bosis prodhon dhe shet në Serbi produkte si: (i) kuti kartoni të valëzuar me lito-petëzuar; (ii) karton i palosshëm; (iii) ambalazh me blister dhe (iv) flauta prej kartoni.
BOSIS DOO VALJEVO nuk është prezente por ka realizuar xhiro në Shqipëri nëpërmjet eksportit të kutive të valëzuar të lito-petëzuar.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës nëpërmjet postës në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.