Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 629 prot. i AK, datë 24.10.2022 “Kërkesë” me të cilën jemi njoftuar në lidhje me përftimin e kontrollit të përbashkët të shoqërisë AIR BP ALBANIA SHA nga shoqëritë BP Holdings International B.V. dhe United World Technologies B.V.
Referuar dokumentit “Marrëveshje e shitjes së aksioneve”, palët janë:
Pala Blerëse: United World Technologies B.V. është një shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit holandez, e cila vepron në fushën e aviacionit.
United World Technologies B.V. zotërohet nga Stichting Administratiekantoor United World Technologies.
Pala Shitëse: BP Holdings International B.V. është një shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit holandez, me objekt aktiviteti: të marrë pjesë, të financojë, të bashkëpunojë, të udhëheqë menaxhimin e kompanive dhe ndërmarrjeve të tjera dhe të ofrojë këshilla dhe shërbime të tjera etj. BP Holdings International B.V. zotërohet nga aksionari i saj i vetëm BP Europe SE.
BP Holdings International B.V. dhe BP Europe SE janë pjesë e Grupit BP.
Shoqëria Target: AIR BP ALBANIA SHA është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: veprime biznesi në fushën e tregtimit me shumicë të lëndëve djegëse për mjetet e fluturimit ajror reaktive, si dhe karburanteve për avionë dhe mjete motorike etj.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës, me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.