Në datat 11-13 Korrik 2018, në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD) në Gjenevë, është duke u zhvilluar takimi i 17’ i Grupit Ndërqeveritar të Ekspertëve (IGE) për Ligjin dhe Politikën e Konkurrencës, grup i themeluar në zbatim të një marrëveshje shumëpalëshe (UN SET) për monitorimin dhe implementimin e rregullave të konkurrencës ndërmjet vendeve anëtare të OKB.
Sipas axhendës së aktivitetit në datën 11 Korrik 2018, Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Znj. Juliana Latifi, u përzgjodh Zëvendës-Kryetare për takimin e 17’të IGE-së, dhe Znj. Vadiyya Khalil, Kryetare e Autoritetit të Konkurrencës në Pakistan u përzgjodh Kryetare.
Në këtë takim po diskutohen aktivitetet për rritjen e kapaciteteve dhe zbatimit të asistencës teknike, sfidat me të cilat përballen vendet në zhvillim për konkurrencën dhe aspektet rregullatore në sektorin e transportit detar, çështjet që lidhen me konkurrencën për shitjen e të drejtave audio-vizuale për aktivitetet e mëdha sportive, rishikimi vullnetar i ligjit dhe politikës së konkurrencës së Botsvanës (Peer-Review) dhe raportimi për Grupin e Diskutimit të UNCTAD për praktikat më të mira në Bashkëpunimin Ndërkombëtar.
Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Znj. Juliana Latifi, në datën 12 Korrik 2018, e ftuar në seksionin e Peer-Review së Botsvanës, po drejton panelin në të cilin do të vlerësohet kuadri ligjor dhe zbatimi i ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.
Pjesë e këtij paneli janë ekspertët e konkurrencës Znj. Tebelelo Pule, Kryetare e Autoritetit të Konkurrencës së Botsvanës, Z. Tembinkosi Bonakele, Komisioner i Autoritetit të Konkurrencës në Afrikën e Jugut dhe Z. Francis Kariuki, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës në Kenia dhe profesori i mirënjohur në fushën e konkurrencës Prof. William Kovacic, ish- kryetar i Federal Trade Commission në USA dhe profesor në universitetin e George Washington, USA.
Si rezultat i diskutimeve të këtij takimi, në vijim UNCTAD do të paraqesë në formë të shkruar gjetjet dhe rekomandimet përfundimtare për ligjin dhe politikën e konkurrencës në Botsvanë.