Autoriteti i Konkurrencës i përfaqësuar nga Komisioni i Konkurrencës sot, në datë 09.02.2022, ora 10:00, me ftesë të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, dha pranë këtij Komisioni shpjegime dhe argumente mbi pyetjet e drejtuara nga deputetët anëtarë të Komisionit, lidhur me vendimmarrjen e AK në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit.
Deputetët e ndryshëm paraqitën pyetje dhe morën përgjigjet respektive nga Komisioni i Konkurrencës, përgjigje të cilat sqarojnë edhe njëherë në interes të publikut, vendimmarrjen e Autoritetit të Konkurrencës.
Për rikujtesë, Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 700, datë 24.07.2020 “Për mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit ndaj ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, me kushte dhe detyrimeve dhe dhënien e disa rekomandimeve për MFE, MBZHR dhe AKU” vendosi mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit duke lënë kushte dhe detyrimeve për ndërmarrjet dhe monitorimin e sjelljes së tyre për një periudhë 1 (një) vjeçare.
Pas përfundimit të periudhës 1 (një) vjeçare të monitorimit Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 839, datë 29.09.2021, vendosi:
I. Detyrimin e ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK:
– Të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi;
– Të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet;
– Të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit;
– Të aplikojnë kushte të barabarta tregtimi për veprime tregtare të njëjta ndaj subjekteve me të cilat hyjnë në marrëdhënie kontraktore të rrjedhës së poshtme të furnizimit me miell.
II. Detyrimin e Ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK të depozitojnë pranë AK-së për periudhën e monitorimit:
– Raportim tre-mujor në lidhje me kostot e importit të grurit, kostot e miellit dhe çmimin e shitjes së miellit.
– Raportim tre-mujor në lidhje me të dhëna mbi blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna.
Si dhe që ndërmarrjet nën hetim, të mbahen nën monitorim edhe për një vit tjetër kalendarik.
Ky treg është në monitorim deri në shtator 2022 për zbatimin e kushteve dhe detyrimeve të vendosura në VKK nr. 700/2020 dhe kushteve dhe detyrimeve shtesë të vendosura në VKK. 839/2021.