Komisioni i Konkurrencës, bazuar në legjislacionin për konkurrencën në fuqi, ka autorizuar me Vendimin nr. 881, datë 22.04.2022, përqendrimin e realizuar nëpërmjet blerjes së propozuar të aksioneve të shoqërisë Lanco Mandakani Hydro Energy Private Limited nga shoqëria Statkraft IH Holdings AS, dhe me Vendimin nr. 882, datë 22.04.2022, përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë Fazua GmbH nga shoqëria Porsche Investments GmbH.
Lanco Mandakani Hydro Energy Private Limited, është një shoqëri e themeluar sipas legjislacionit të Indisë, si një mjet për qëllime të veçanta (SPV) për të zbatuar projekte hidroelektrike në Indinë Veriore. Statkraft IH Holdings AS, është një shoqëri e themeluar sipas legjislacionit të Norvegjisë, me objekt aktiviteti veprimtarinë në fushën e ndërtimit, operimit dhe furnizimit të klientëve me energji të rinovueshme, pjesë e Grupit Statkraft, i cili është i pranishëm në Shqipëri, përmes dy filialeve të tij, Statkraft Renewables Albania SHPK dhe Devolli Hydropower SH.A.
Fazua GmbH është një shoqëri e themeluar sipas legjislacionit të Gjermanisë, me objekt aktiviteti zhvillimin, prodhimin dhe shitjen e koncepteve dhe sistemeve të drejtimit të automjeteve në industrinë e biçikletave dhe komponentëve të tyre individualë, si dhe biçikletave të plota. Porsche Investments GmbH është një shoqëri e themeluar sipas legjislacionit gjerman, me objekt aktiviteti blerjen dhe pjesëmarrjen në shoqëri të të gjitha llojeve, si dhe mbajtjen, menaxhimin dhe shitjen e këtyre pjesëmarrjeve, filial i shoqërisë Dr.Ing. H.c.F.Porsche Aktiengesellschaft (Porsche). Porsche zotërohet tërësisht dhe kontrollohet në mënyrë indirekte nga Volkswagen Aktiengesellschaft (Volkswagen AG), shoqëria mëmë e grupit Volkswagen, i cili operon në Shqipëri përmes shoqërive të zotëruar indirekt prej tij, Porsche Albania SHPK dhe Porsche Leasing SHPK.
Bazuar në analizën e konkurrencës, Komisioni vlerësoi se përqendrimet nuk do të krijojnë mbivendosje ose marrëdhënie të rrjedhës së sipërme apo të poshtme midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar dhe për rrjedhojë, transaksionet e synuara nuk do të sjellin asnjë ndryshim dhe nuk do të kenë asnjë ndikim në tregun shqiptar.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë Fazua GmbH nga shoqëria Porsche Investments GmbH, dhe përqendrimin e realizuar nëpërmjet blerjes së propozuar të aksioneve të shoqërisë Lanco Mandakani Hydro Energy Private Limited nga shoqëria Statkraft IH Holdings AS, me kusht që, shoqëria Statkraft IH Holdings AS të marrë dhe të depozitojë pranë Autoritetit të Konkurrencës vendimin përfundimtar të Gjykatës Kombëtare Tregtare, dega Allahabad, Indi, mbi blerjen e aksioneve të shoqërisë Lanco Mandakani Hydro Energy Private Limited.
Për më shumë shikoni Vendimin nr. 881, datë 22.04.2022, dhe Vendimin nr. 882, datë 22.04.2022, në https://caa.gov.al/
Njoftim_per_shtyp_22_Prill_2022