Njoftime për shtyp

Sot, në datë 05.07.2022, Komisioni i Konkurrencës, bazuar në legjislacionin për konkurrencën, mori Vendimin Nr. 896, datë 05.07.2022, për mbylljen e procedurës së monitorimit të zbatimit të Vendimit Nr. 703, datë 06.08.2020 “Për mbylljen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe miratimin e angazhimeve si të detyrueshme në formën e kushteve dhe detyrimeve për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom.

Autoriteti i Konkurrencës ka zhvilluar procedurën e monitorimit të zbatimit të kushteve dhe detyrimeve të marra nga ndërmarrjet Vodafone Albania, One Telecommunications, Albtelecom, si dhe ka bashkëpunuar me AKEP në kuadër të rekomandimit të dhënë ndaj tij në Vendimin Nr. 703, datë 06.08.2020 për të shoqëruar me një analizë dhe vlerësim të përgjithshëm krahasimor hedhjen e paketave të reja nga secila ndërmarrje në tregun e shërbimeve celulare me pakicë, në zbatim të Rregullores Nr. 27/2012 “Mbi publikimin e informacionit për tarifat si dhe kushtet e aksesit dhe përdorimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike”.

Nga administrimi dhe përpunimi i informacionit për ndërmarrjet Vodafone Albania, One Telecommunications dhe Albtelecom, konstatohet se këto ndërmarrje kanë përmbushur kushtet dhe detyrimet e dhëna në Vendimin Nr. 703, datë 06.08.2020l. Megjithatë, në kushtet ku struktura e tregut ka ndryshuar si rrjedhojë e përqendrimit të realizuar, me Vendim Nr. 869, datë 08.03.2022, nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë Albania Telecom Invest AD nga shoqëria 4iG Nyilvanosan Mukodo Reszvenytarsasag, monitorimi i tregut të shërbimeve celulare do të vijojë në kuadër të këtij Vendimi.

Gjithashtu, rezulton se AKEP nuk ka realizuar një analizë dhe vlerësim të përgjithshëm krahasues për ndryshimet e kryera në paketat standarde nga tre operatorë celularë në tregun me pakicë të shërbimeve celulare në zbatim të Rregullores Nr. 27/2012 “Mbi publikimin e informacionit për tarifat si dhe kushtet e aksesit dhe përdorimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike”. Lidhur me këtë çështje, AKEP është shprehur se tregu i shërbimeve celulare me pakicë, është treg që nuk rregullohet nga AKEP dhe mbetet jashtë detyrave të tij funksionale.

Për sa më sipër, Komisioni i Konkurrencës vendosi mbylljen e procedurës së monitorimit në zbatim të Vendimit Nr. 703, datë 06.08.2020 “Për mbylljen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe miratimin e angazhimeve si të detyrueshme në formën e kushteve dhe detyrimeve për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom”.

Po sot, në datën 5 korrik 2002 Komisioni i Konkurrencës, u shpreh në lidhje me rastin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë Newco Ferronikeli Complex LLC dhe filialit të saj, nga shoqëria Yildirim Kosovo Mining Investments L.L.C.

Yildirim Kosovo Mining Investment L.L.C., është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe e krijuar me qëllim të veçantë (SPV) për realizimin e këtij transaksioni, e cila është pjesë e Grupit Yildirim, që operon në një numër të madh industrish si: metalurgji dhe miniera, qymyre dhe coke, energji, plehra kimike etj.

Newco Ferronikeli Complex L.L.C. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, e cila kryen veprimtari në sektorin minerar, kryesisht në nxjerrjen, prodhimin dhe tregtimin e produkteve minerale jo-metalike, nxjerrjen e torfës, prodhimin e hekurit dhe çelikut bazik etj.

Në bazë të analizës së konkurrencës, u vlerësua se përqendrimi i njoftuar nuk do të krijojë mbivendosje në tregje horizontale ose marrëdhënie të rrjedhës së sipërme apo të poshtme midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar dhe për rrjedhojë, nuk do të sjellë asnjë ndryshim dhe nuk do të ketë asnjë ndikim në tregun shqiptar.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin Nr. 897, datë 05.07.2022, vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë Newco Ferronikeli Complex LLC dhe filialit të saj nga shoqëria Yildirim Kosovo Mining Investments L.L.C.
Për më shumë shikoni Vendimet Nr. 896 dhe Nr. 897, datë 05.07.2022 në caa.gov.al.

 

Njoftim_per_shtyp_5

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.