Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij, më datë 29.07.2022, mori në shqyrtim aplikimin e Entit Rregullator të Ujit për miratimin e nivelit tarifor për ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizime Kukës SHA.
ERRU ka informuar Autoritetin e Konkurrencës se ka përfunduar procedurën e shqyrtimit dhe miratimit të aplikimit të ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime Konsipol SHA për miratimin e tarifave të shërbimit të furnizimit me ujë, të cilat konsistojnë në ligjërimin e nivelit të tarifave të këtij shërbimi për të tre kategoritë e klientëve.
ERRU në këtë aplikim ka propozuar tarifa në rritje graduale, më të vogël se propozimi i tarifave të bëra nga ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime Kukës SHA dhe e përqendron aplikimin në saktësimin e të dhënave të regjistruara dhe ta raportuara dhe vendos detyra me synim rregullimin e variablave që llogarisin treguesit kryesorë të performances. Për përmirësimin e performancës financiare dhe të cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatorëve, ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime Kukës SHA, duhet të aplikojë tarifa të orientuara drejt kostos së shërbimeve.
Për sa më sipër, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin Nr. 902, datë 29.07.2022, vendosi t’i rekomandojë Entit Rregullator të Ujit, që tarifat e ndryshuara që do të miratohen nga ERRU për ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizime Kukës SHA, të jenë të orientuara drejt kostos së shërbimeve, të jenë të bazuara në parimin e mosdiskriminimit dhe të jenë transparente në faqen e ERRU-së.
Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij, më datë 29.07.2022, mori në shqyrtim aplikimin e Entit Rregullator të Ujit për miratimin e nivelit tarifor për ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizime Bulqizë SHA.
Propozimi gradual i ERRU, për tarifa merr në konsideratë edhe nivelin shumë të ulët të normës korrente të arkëtimit, e cila identifikohet si treguesi më problematik për shkak se ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime Bulqizë SHA nuk arrin të grumbullojë të ardhurat e saj dhe për këtë arsye duhet të jetë fokus kryesor në politikat e menaxhimit të ndërmarrjes.
ERRU në analizën ekonomiko-financiare të saj, ka analizuar drejt dhe ka marrë në konsideratë vetëm kostot e justifikuara të paraqitura nga ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime Bulqizë SHA, të cilat përcaktojnë nevojat për të ardhura të ndërmarrjes si faktori bazë përcaktues në procesin e miratimit të tarifave si dhe ka përcaktuar objektivat e performancës tekniko-financiare të shoqërisë.
Për përmirësimin e performancës financiare dhe të cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatorëve, ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime Bulqizë SHA, duhet të aplikojë tarifa të orientuara drejt kostos së shërbimeve.
Për sa më sipër, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin Nr. 903, datë 29.07.2022, vendosi t’i rekomandojë Entit Rregullator të Ujit, që tarifat e ndryshuara që do të miratohen nga ERRU për ndërmarrjen Ujësjellës Kanalizime Bulqizë SHA, të jenë të orientuara drejt kostos së shërbimeve, të jenë të bazuara në parimin e mosdiskriminimit dhe të jenë transparente në faqen e ERRU-së.
Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës mori në shqyrtim vazhdimin e përjashtimit nga ndalimi të marrëveshjes së lidhur midis shoqërive të sigurimit për Kartonin Jeshil.
Byroja Shqiptare e Sigurimit, duke qenë në përfundim të afatit të parashikuar në VKK nr. 689, datë 24.04.2020, ka kërkuar zgjatjen e afatit të përjashtimit të ndalimit të marrëveshjeve për shitjen dhe administrimin e kartonit jeshil, deri në vitin 2025. Palët në marrëveshje janë të gjitha shoqëritë e sigurimit të cilat e ofrojnë produktin e kartonit jeshil të sigurimit të mjeteve motorike.
Sipas BSHS kjo marrëveshje ka efekte vetëm për produktin karton jeshil, i cili zë një pjesë të vogël të totalit të tregut të sigurimeve dhe i shtrin efektet në zonën gjeografike të territorit të Republikës së Shqipërisë. Marrëveshja nuk kufizon lirinë tregtare dhe lirinë konsumatore për të përzgjedhur produktin dhe shoqërinë sipas kërkesës së tij.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin Nr. 904, datë 29.07.2022, vendosi të vazhdojë përjashtimin nga ndalimi Marrëveshjen e Bashkëpunimit mes ndërmarrjeve të sigurimit lidhur me shitjen dhe administrimin e kartonit jeshil për një periudhë dy vjeçare.
Marrëveshja përjashtohet nga ndalimi vetëm me respektimin e kushteve dhe detyrimeve të vendosura nga Komisioni i Konkurrencës.
Komisioni i Konkurrencës, u shpreh gjithshtu në lidhje me rastin për përjashtimin nga ndalimi i marrëveshjes së lidhur ndërmjet shoqërive Swixx Biopharma AG dhe Sanofi-Aventis Groupe.
Swixx Biopharma AG është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Kantonit Zug, Zvicër, me objekt aktiviteti: Tregtimi, konsulenca dhe ofrimi i përfaqësive në sektorin e shëndetësisë, mbështetja ndërmjetësuese dhe ofrimi i shërbimeve në të gjitha aktivitetet që lidhen me të, etj.
Sanofi-Aventis Groupe është një shoqëri anonime, e themeluar sipas legjislacionit francez me seli në Paris, me objekt aktiviteti: Ofrim shërbimesh, marrje pjesëmarrjesh dhe themelim zyrash, degësh ose ndërmarrjesh që lidhen direkt ose indirekt me fushën e shëndetësisë.
Palët pjesëmarrëse në marrëveshje shprehen se janë të ndërgjegjësuara për zbatimin e parimeve të konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, duke shprehur angazhimin se nuk do të realizojnë kufizime që bien ndesh me nenin 4 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Për sa më sipër, marrëveshja e njoftuar klasifikohet si një marrëveshje vertikale mes një furnizuesi dhe një distributori e cila ka për qëllim shitjen me shumicë të produkteve farmaceutike të gatshme brenda klasave ATC3 (A10H dhe A10C).
Në çdo rast, Marrëveshja nuk ndikon në pjesëmarrjen në treg të Sanofit në lidhje me Produktet e Përjashtimit, pasi tregu i produkteve Swixx me recetë (RX) në Shqipëri nuk mbivendoset me klasat ATC3 të produkteve të Sanofit.
Pas implementimit të Marrëveshjes, kushtet konkurruese të tregut do të mbeten të njëjta sepse Swixx Biopharma do të shpërndajë Produktet brenda portofolit të produkteve që jepen me recetë nga mjeku të Sanofit, produkte të cilat më parë Sanofi-Aventis Groupe i shpërndante përmes rrjetit të vet të shpërndarës në Shqipëri (shitësve me shumicë të autorizuar).
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin Nr. 905, datë 29.07.2022, vendosi të përjashtojë nga ndalimi Marrëveshjen e Distribucionit ndërmjet palëve Swixx Biopharma AG dhe Sanofi-Aventis Groupe.
Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij, më datë 29.07.2022, mori në shqyrtim mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun ku ushtrojnë veprimtarinë SFJB, në tregun e kredisë, mikrokredisë, qirasë financiare, faktoringut, shërbimi i pagesave dhe transfertave, parasë elektronike.
Bank e Shqipërisë është organi rregullator i tregut në të cilin operojnë subjektet financiare jo banka. Konstatohet se ashtu si dhe legjislacioni parësor, edhe legjislacioni dytësor që rregullon aspekte të veçanta lidhur me funksionimin e tregut të SFJB dhe transparencën, gjenden të integruara në të njëjtin akt nënligjor si për subjektet financiare-Banka ashtu edhe për SFJB. Për sa më sipër vlerësojmë se BSH duhet të hartojë raporte mbikëqyrjeje të veçanta për SFJB duke përcaktuar pjesët respektive të tregut për secilin SFJB në tregun ku ajo operon, t’i publikojë dhe t’i bëjë transparente ato si dhe të bashkëpunojë me AK në rastet kur konstatohen shenja të kufizimit të konkurrencës, në kuptim të nenit 4 dhe 9 të ligjit 9121/2003.
Lidhur me mirëfunksionimin dhe rregullimin e këtij tregu vlerësojmë se BSH duhet të hartojë një akt nënligjor të dedikuar për SFJB në tregun përkatës ku ato ushtrojnë veprimtarinë.
Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin Nr. 906, datë 29.07.2022, vendosi mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun ku ushtrojnë veprimtarinë Subjektet Financiare Jobanka (SFJB) dhe dhënien e disa rekomandimeve.
T’i rekomandojë SFJB që operojnë në treg, respektimin e dispozitave të nenit 9 të ligjit nr.9121/2003.
T’i rekomandojë Bankës së Shqipërisë, si organi rregullator i tregut në të cilin operojnë SFJB:
a. Të hartojë raporte mbikëqyrjeje të veçanta për SFJB duke përcaktuar pjesët respektive të tregut për secilin SFJB në tregun ku ajo operon, ti publikojë dhe ti bëjë transparente ato.
b. Të hartojë një rregullore të veçantë për përcaktimin dhe miratimin e rregullave për kredinë konsumatore, mikrokredinë, faktoringun, qiranë financiare për mirëfunksionimin e tregut ku operojnë SFJB.
Për më shumë shikoni vendimin nr. 902, vendimin nr. 903, vendimin nr. 904 vendimin nr. 905, vendimin nr. 906, në www.caa.gov.al .