Njoftim për shtyp

Komisioni i Konkurrencës, bazuar në legjislacionin për konkurrencën në fuqi, mori Vendimin nr.863, datë 15.02.2022, për hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjes NOA CONTROL SHPK në tregun e ofrimit të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm (GLN).

Në vitin 2019, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, ka nënshkruar, me shoqërinë NOA CONTROL SHPK (Koncesionari) dhe shoqërinë NOA INSPECT SHPK (Shoqëria Koncesionare), Kontratën e Koncesionit “Për shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm”, ku koncesionarit i është dhënë e drejta e vetme dhe ekskluzive të kryejë shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, gjatë gjithë periudhës koncesionare.

Shoqëria NOA CONTROL SHPK, ofron edhe shërbime të tjera për subjektet e shitjes me pakicë të karburanteve dhe gazit të lëngshëm, si: inspektimin e depozitave të naftës e GLN-së, certifikimin e punonjësve/personave që përdorin pajisje nën presion; lëshimin e vërtetimeve teknike për subjektet që kryejnë aktivitet në fushën e përpunimit, transportit, tregtimit të gazit, naftës dhe nënprodukteve të tyre. Këto shërbime ofrohen gjithashtu edhe nga subjekte të tjera konkurrente/Organe të Miratuara.

Pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar një ankesë lidhur me pasojat në treg të krjimit të pozitës dominuese të shoqërisë NOA CONTROL SHPK në tregun e ofrimit të shërbimit të kontrollit ligjor te instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm, e cila i shërben për të zgjeruar pozitën e tij dominuese në të gjithë gamën e mundshme të shërbimeve inspektuese që shoqëria ofron ndaj subjekteve të tregtimit të karburanteve”.

Nga vlerësimi ligjor i draft kontratës dhe rekomandimeve të dhëna me VKK nr. 646/2019, rezulton se të drejtat që i jepen Koncesionarit i krijojnë atij mundësinë për të abuzuar me pozitën dominuese që ka fituar.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjes NOA CONTROL shpk në tregun e ofrimit të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm, për të parë nëse ka,ose jo, shkelje të nenit 9, të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar.

Për më shumë shikoni Vendimin nr. 863, datë 15.02.2022 në caa.gov.al.

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.