Rasti: Përftimi i kontrollit nëpërmjet blerjes së aseteve të Biznesit në Tokë të shoqërisë Winns AS nga shoqëria Statkraft Varme AS.

Pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar shkresa nr. 519/2, datë 25.09.2023 “Njoftim përqendrimi dhe kërkesë për autorizim të përqendrimit”, ku jemi njoftuar mbi transaksionin e propozuar për blerjen e një pjese të biznesit të shoqërisë Winns AS nga shoqëria Statkraft Varme AS.

Referuar “Marrëveshje për Blerjen e Aseteve”, palët pjesëmarrëse në transaksion janë:

Pala blerëse: Statkraft Varme AS është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit norvegjez, pjesë e grupit Statkraft. Statkraft Varme AS është aktive në tregun e zhvillimit, operimit dhe optimizimit të sistemeve të ngrohjes nga pompat e nxehtësisë për dërgimin e energjisë për ngrohje për qendrat e biznesit dhe ato rezidenciale në trembëdhjetë lokacione në Suedi dhe Norvegji.

Grupi Statkraft është prezent në Shqipëri përmes dy filialeve të saj, Statkraft Renewables Albania SHPK dhe Devolli Hydropower SHA  të cilët operojnë në tregun e prodhimit të energjisë elektrike.

Pala shitëse: Winns AS është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Norvegjisë, e angazhuar në prodhimin dhe operimin e sistemeve të ngrohjes dhe ftohjes kundrejt qendrave të biznesit dhe platformave të vendosura në det të hapur përmes modeleve konvencionale të biznesit dhe modeleve inovative.

Winns AS nuk është prezent dhe nuk realizon të ardhura në Shqipëri.

Shoqëria Target: Biznesi në Tokë i shoqërisë Winns AS i cili përfshin aktivitetet në tokë të Shitësit; modelet e biznesit, asetet e Shitësit, shërbimet e biznesit të Shitësit duke përfshirë dhe transferimin e punëmarrësve, sistemeve kompjuterike, kontratat me klientët dhe të çdo të drejtë dhe detyrim lidhur me biznesin duke përfshirë çdo licencë, llogari bankare dhe funksione të tjera ndihmëse.

Biznesi në Tokë i shoqërisë Winns AS nuk është prezent dhe nuk realizon xhiro në Shqipëri.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin  10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilave duhet respektivisht të realizohen ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit, si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.

Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.     

Shkarko Njoftimin

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.