Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 692 prot. i AK, datë 07.12.2023 “Njoftim zyrtar për kompanitë mbi Autoritetin e Konkurrencës”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me regjistrimin e shoqërisë së re HONEST BEER SHPK, pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, më datë 24.11.2023.
Referuar dokumenteve të depozituara, palët në transaksion janë:
Pala 1: z. Sokol Kraja, person fizik, shtetas shqiptar, zotëron: 100% të shoqërisë CAPITAL RESOURCES SHPK; 100% të shoqërisë Astral SHPK dhe 50% të shoqërisë HONEST BEER SHPK.
Pala 2: z. Adnand Hoxha, person fizik shtetas shqiptar, zotëron: 100% të shoqërisë IDEL SHPK; 50% të shoqërisë HONEST BEER SHPK dhe 25% të shoqërisë PERLA- S12 SHPK.
Ndërmarrje e Përbashkët (JV): HONEST BEER SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, më datë 30.10.2023, me objekt aktiviteti marrjen, përfitimin apo prodhimin e produkteve të së drejtës intelektuale dhe tregtimin apo dhënien në përdorim të tyre palëve të treta etj. Për arritjen e objektivave të saj, shoqëria do të ketë gjithashtu mundësinë të zhvillojë të gjitha operacionet tregtare, industriale, me të luajtshme e të paluajtshme, që do të konsiderohen të nevojshme, të dobishme nga organi administrativ.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.