Autoriteti i Konkurrencës, lidhur me artikullin e publikuar në Top Channel me titull “Shtrenjtimi i bukës, i organizuar! Autoriteti i Konkurrencës nuk gjobit dot Kompanitë”, dëshiron të saktësojë sa më poshtë:
Autoriteti i Konkurrencës vepron për të siguruar një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg në zbatim të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar.
Autoriteti i Konkurrencës nuk është institucion përgjegjës për kontrollin e çmimeve të produkteve apo të shërbimeve të ndryshme në treg, si dhe nuk është institucioni përgjegjës për çështje të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e konsumatorit. Autoriteti i Konkurrencës, ka një mandate të mirë përcaktuar ligjor, ai vepron kur cënohet, pengohet apo shtrembërohet konkurrenca në treg, dhe kur ndërmarrjet abuzojnë me pozitën dominuese; apo ato ndodhen në kushtet e marrëveshjes së ndaluar.
Kronika e transmetuar nga televizioni Top Channel mbi seancën dëgjimore të mbajtur nga Autoriteti i Konkurrencës duke cituar një burim të paidentifikuar, nxjerr konkluzione të painformuara mbi faktet reale dhe ligjshmërinë, shpërfill procedurat që duhet të ndjekë Autoriteti i Konkurrencës derisa të arrijë në vendimmarrje dhe keqinformon mbi punën kolegjiale të Autoritetit.
Ashtu si e thotë edhe kronika, Autoriteti ka qenë institucioni i vetëm që ka monitoruar në vijueshmëri tregun e miellit qysh një vit më parë, duke i qëndruar besnik mandatit për të evidentuar, monitoruar dhe ndërhyrë me penalitete në rastet e shkeljes së konkurrencës. Vetëm gjobat e derdhura në buxhetin e shtetit nga Autoriteti i Konkurrencës, në rrafshin kohor të tre viteve (2018-2020), kapin shumën 300 milion lekë të reja.
Ne e sigurojmë konsumatorin dhe taksapaguesin shqiptar se Autoriteti do të zbatojë mandatin e tij për të garantuar zbatimin e parimeve të konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, ashtu siç ka bërë në çdo rast.
Besojmë se pikërisht kjo punë ka bërë që edhe media t’a shohë Autoritetin e Konkurrencës si institucionin e vetëm që mund të shmangë fenomenet e rritjes së çmimeve pavarësisht mandatit ligjor.
Çështja që ka të bëjë me tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit ndaj ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, është ende në procedurë. Në zbatim të nenit 30 të ligjit nr. 9121/2003, autoriteti deri në shpalljen përfundimtare të vendimit, ka detyrimin ligjor për të ruajtur konfidencialitetin e procedurës.
Komisioni i Konkurrencës do të shprehet me vendim lidhur me monitorimin e zbatimit të vendimit nr. 700, datë 24.07.2021, “Për mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit ndaj ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, me kushte dhe detyrime dhe dhënien e disa rekomandimeve për MFE, MBZHR dhe AKU”.