Në vijim të procesit të Integrimit Evropian, pas hapjes së negociatave me Shqipërinë vijon procesi i përgatitjes nga Autoriteti i Konkurrencës si lider i Kapitullit të 8 “Politika e Konkurrencës”, për takimin bilateral Screening i cili do të zhvillohet në muajin Mars 2023 në Bruksel.
Në këtë kuadër, në datën 24 Janar, në ambientet e Hotel Rogner u zhvillua një takim me qëllim simulimin e aktivitetit që do të zhvillohet përpara Komisionit Evropian. Fokusi kryesor i këtij takimi ishte parapërgatitja për një përfaqësim sa më të mirë të Autoritetit të Konkurrencës në Takimin Bilateral Screening.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Z. Denar Biba vlerësoi suportin e ekspertëve të huaj dhe vendas të projektit SANECA dhe theksoi se Autoriteti i Konkurrencës si lider dhe koordinator i Kapitullit të 8 “Politika e Konkurrencës” do të vazhdojë rolin e tij si një institucion i pavarur për të siguruar konkurrencë të lirë dhe efektive në treg në funksion të procesit të antarësimit dhe përafrimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor me aquis të Bashkimit Evropian.
Takimi vijoj me prezantimet e anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës.
Përfaqësuesit e projektit SANECA, Znj. Blerina Raca, menaxhere e projektit dhe eksperti i këtij projekti, Z. Andrej Plahutnik, ndihmuan me asistencën dhe suportin e tyre në ndjekjen e prezantimeve si dhe me këshillat përkatëse në lidhje me përmirësimin e tyre për një përfaqësim sa më dinjitoz në takimin e rradhës në Mars 2023 me Komisionin Evropian në Bruksel.