Autoriteti i Konkurrencës hap procedurën e hetimit të thelluar në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në qarkun Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë.
Komisioni i Konkurrencës në mbledhjen e tij, datë 04.10.2024, vlerësoi të dhënat e marra gjatë fazës së hetimit paraprak në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në qarkun Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë.
Pas analizimit të strukturës së tregut, integrimit vertikal, sjelljes së ndërmarrjeve grumbulluese dhe diferencave të mëdha në zinxhirin e vlerës së produktit nga prodhuesit, grumbulluesit, shitësit me shumicë deri tek konsumatori fundor, u vlerësua se ky treg mund të ketë sjellje antikonkurruese. si pasojë e marrëveshjeve dhe/ose praktikave të bashkërenduara ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve që operojnë në tregun e grumbullimit dhe shitjes më shumicë të fruta-perimeve, në kuptim të nenit 4 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Për sa më sipër, Komisioni i Konkurrencës, me vendimin nr. 1114, datë 04.10.2024 vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar, hetim i cili do të përfshijë periudhën kohore 1 Janar 2023 – 30 Shtator 2024.