Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 10.05.2024, mori në shqyrtim raportin e monitorimit të zbatimit të vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 921, datë 09.11.2022 “Për mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të aeroportit “Nënë Tereza (Tirana International Airport) dhe miratimin e angazhimeve si të detyrueshme në formën e kushteve dhe detyrimeve për ndërmarrjen Star parking Albania SHPK”.
AK në vijim të monitorimit të zbatimit të kushteve dhe detyrimeve të pikës III të dispozitivit të vendimit të VKK nr. 921/2022, ka kërkuar informacionin e nevojshëm nga ndërmarrja Star Parking Albania SHPK.
Nga administrimi dhe përpunimi i informacionit për ndërmarrjen Star Parking Albania SHPK, gjatë periudhës së monitorimit u konstatua si më poshtë vijon:
- Mbi zbatimin e pikës III/a të VKK nr. 921/2022, ka rezultuar se ndërmarrja Star Parking Albania SHPK nuk ka hartuar një metodologji për llogaritjen e kostove për formimin e çmimit të telepas-it.
- Mbi zbatimin e pikës III/b të VKK nr. 921/2022, ka rezultuar se ndërmarrja Star Parking Albania SHPK nuk zbaton tarifa të orientuara drejt kostos, ky fakt përforcohet edhe nga mos zbatimi i një metodologjie apo prej normave të fitimit mbi 40%.
- Mbi zbatimin e pikës III/c të VKK nr. 921/2022, ka rezultuar se ndërmarrja Star Parking Albania SHPK ka zbatuar kushte të pabarabarta me ndërmarrjet të cilat lidhin kontratë me Star Parking për tu pajisur me telepas dhe nuk ka paraqitur arsye për këtë trajtim të ndryshëm.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, në zbatim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” me Vendimin nr. 1084, datë 10.05.2024, vendosi:
- Vijimin e monitorimit të zbatimit të kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në pikën III të vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 921, datë 09.11.2022 “Për mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Aeroportit “Nënë Tereza” dhe miratimin e angazhimeve si të detyrueshme në formën e kushteve dhe detyrimeve për ndërmarrjen “Star Parking Albania SHPK”, edhe për një periudhë 1 vjeçare.
- Gjobitjen e ndërmarrjes Star Parking Albania SHPK, për moszbatimin e detyrimeve të sanksionuara në pikën III të VKK nr. 921/2022, në masën 756,581 Lekë (shtatëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e një) Lekë.
Për më tepër, ju lutem konsultoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në http://caa.gov.al