Autoriteti i Konkurrencës vijon me takimet e organizuara si një traditë e re komunikimi me grupet e interesit, me qëllim njohjen dhe promovimin e kulturës së konkurrencës.
Këto takime janë dhe do të jenë një mundësi e shkëlqyer për të kuptuar më mire rolin dhe profilin e punës së Autoritetit të Konkurrencës.
Në këtë kontekst sot, në takimin e rradhës patëm kënaqësinë e bashkëbisedimit me përfaqësues të biznesit të Rrethit Fier nëpërmjet workshop-it me temë “Për rritjen e kulturës së konkurrencës dhe forcimin e bashkëpunimit me biznesin”.
Autoriteti i Konkurrencës siç është dhe traditë tashmë, u prezantua nga Kryetari, Z. Denar Biba, si dhe nga përfaqësues të tjerë të AK.
Në këtë takim u bë prezantimi i Ligjit Nr. 9121/2003 nga Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, me qëllim sigurimin e njohurive të nevojshme në fushën e ligjit të konkurrencës. Gjatë takimit, ju ilustrua të pranishëmve një rast lidhur me procedurat e prokurimit publik dhe dhënien e disa rekomandime për Agjencinë e Prokurimit Publik në raste të ngjashme. Gjatë takimit kishte diskutime dhe pyetje të ndryshme nga përfaqësues të bizneseve të cilat morën përgjigje nga Kryetari Z. Biba dhe përfaqësuesit e tjerë të Autoritetit të Konkurrencës.
Qëllimi i këtij workshop-i është njohja e komunitetit të biznesit me parimet dhe rregullat për një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg, për rritjen e kulturës së konkurrencës dhe forcimin e bashkëpunimit me biznesin.
Këto takime informative/edukuese do të vijojnë të organizohen nga Autoriteti i Konkurrencës jo vetëm në kuadër të sugjerimeve të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2021”, por edhe si mision që Autoriteti i ka vendosur vetes për promovimin e mëtejshëm të kulturës së konkurrencës përmes intensifikimit të marrëdhënieve me komunitetin e biznesit për çështjet e rregullimit të tregut.
Takim i sotëm u mundësua nga Bashkia Fier dhe Kryetari Armando Subashi, të cilët gjejmë rastin t’i falenderojmë për mikpritjen!