Pas hapjes së negociatave me Shqipërinë në muajin Korrik 2022, po zhvillohen në Bruksel takimet përkatëse me fokus Kapitulli i 8 “Politika e Konkurrencës”, puna për koordinimin e të cilit është në përgjegjësinë dhe udhëheqjen e Autoritetit të Konkurrencës.
Në këtë kuadër, grupi negociator shqiptar kryesohet nga Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Z. Denar Biba, si dhe përbëhet nga përfaqësues të institucioneve shqiptare, pjesë e grupit Ndërinstitucional për Integrimin Evropian .
Në takimin e sotëm fokusi ishte ndër të tjera në shpjegimin e standarteve të legjislacionit të BE, si dhe në përafrimin e akteve: “Udhëzimin e Komisionit për zbatimin e mekanizmit të referimit të përcaktuar në nenin 22 të Rregullores së Bashkimit për disa kategori të rasteve 2021/C 113/01”; Rregulloren e Komisionit (BE) 2022/720 të datës 10 maj 2022 mbi zbatimin e nenit 101(3) të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian ndaj kategorive të marrëveshjeve vertikale dhe praktikave të bashkërenduara; Kuadri i përkohshëm për vlerësimin e çështjeve antitrust që lidhen me bashkëpunimin e biznesit në përgjigje të situatave emergjente që rrjedhin nga shpërthimi aktual i COVID-19, dhe për pjesën e Ndihmës Shtetërore .
Ky takim shpjegues informativ u zhvillua në një frymë shumë pozitive dhe celi siparin e takimeve të ngjashme ndërmjet përfaqësuesve të Republikës së Shqipërisë që mbulojnë kapitullin 8 “Politika e Konkurrencës” dhe përfaqësuesve të Komisionit Europian, në kuadër të procesit të antarësimit të Shqipërisë në BE. Takimi i rradhës do të zhvillohet gjatë muajit Mars 2023.