Tiranë, 4 mars 2025 – Autoriteti i Konkurrencës dhe Kolegji Universitar “Qiriazi” kanë formalizuar bashkëpunimin e tyre përmes nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU), me qëllim forcimin e kulturës së konkurrencës dhe promovimin e advokacisë së konkurrencës në arsimin e lartë.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në ambientet e Kolegjit Universitar “Qiriazi”, ndërmjet Kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës, z. Denar Biba, dhe Rektorit të Kolegjit Universitar “Qiriazi”, Prof. Dr. Gjokë Uldedaj.
Ky Memorandum krijon mundësi të reja për shkëmbimin e eksperiencave dhe ekspertizës midis institucioneve, duke i ofruar studentëve mundësinë për të kryer stazhe afatshkurtra pranë Autoritetit të Konkurrencës. Gjithashtu, marrëveshja synon të forcojë bashkëpunimin akademik dhe institucional për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e konkurrencës së ndershme në ekonomi.
Dita e sotme shënon një tjetër përpjekje të Autoritetit të Konkurrencës për të ndërtuar ura bashkëpunimi me institucionet akademike si dhe për të edukuar profesionistët e të nesërmes mbi parimet e mbrojtjes së konkurrencës.