Rasti: Përftimi i kontrollit të biznesit të franshizës JYSK në Shqipëri, nga shoqëria Lars Larsen Group A/S, nëpërmjet shoqërisë 3B Bidco Tirana SHPK.

Pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar shkresa nr. 842 prot. i AK, datë 05.10.2026 “Njoftimi i përqendrimit ndërmjet Lars Larsen Group A/S dhe biznesit të franshizës JYSK Albania”.

Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:

Pala blerëse: 3B Bidco Tirana SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar. Objekti i shoqërisë përfshin, por nuk kufizohet në, importin, shpërndarjen dhe shitjen e produkteve të mobilimit të shtëpisë dhe produkteve shtëpiake, duke përfshirë produkte të gjumit, mobilie, ndriçim, tekstile, perde dhe mallra të lidhura, etj.

3B Bidco Tirana SHPK është një shoqëri e themeluar për qëllime të transaksionit të propozuar, një filial i zotëruar plotësisht nga Lars Larsen Group A/S, shoqëria mëmë e Grupit Lars Larsen, aktiviteti kryesor i të cilit është administrimi i biznesit JYSK, një shitës ndërkombëtar i mobilieve për shtëpinë.

JYSK A/S nuk ka asnjë filial të regjistruar në Shqipëri dhe nuk gjeneron xhiro në mënyrë të pavarur nga biznesi ekzistues i franshizës i administruar nga SCANDINAVIAN LIVING SHPK.

Pala shitëse: SCANDINAVIAN LIVING SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e  themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti tregtia me pakicë e mobilieve, pajisjeve të ndriçimit dhe artikujve të tjerë shtëpiakë në dyqane të specializuara. Shoqëria mund të kryejë operacione tregtare me pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe të administrojë, të blejë, të shesë, të japë me qira, si dhe të ketë interesa e pjesëmarrje në shoqëri, konsorciume etj.

Biznesi Target është biznesi me franshizë JYSK, i operuar nga Shitësi në territorin e Republikës së Shqipërisë sipas Marrëveshjes së Franshizës, duke përfshirë të gjitha aktivet, të drejtat, kontratat, punëmarësit, operacionet, Emrin e Mirë, regjistrimet dhe çdo gjë tjetër të nevojshme për të operuar këtë biznes si një biznes në vazhdimësi.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin  10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.

 Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.     

Skip to content