Pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar shkresa nr. 966 prot. i AK, datë 11.11.2026 “Formulari i thjeshtuar i njoftimit të përqendrimit”, nëpërmjet të cilës jemi njoftuar mbi përqendrimin e propozuar lidhur me blerjen e të gjithë kapitalit aksionar në shoqërinë Arka Energy B.V. nga shoqëria Calik Renewables B.V.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala blerëse: Calik Renewables B.V. është një shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Holandës, me objekt kryesor të veprimtarisë së saj prodhimin dhe gjenerimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme.
Calik Renewables B.V. është pjesë e grupit ndërkombëtar Çalik Holding A.Ş., i cili në Shqipëri zotëron shoqëritë: BANKA KOMBËTARE TREGTARE SHA, BKT PAY SHA dhe ÇALIK ALBANIA WIND SHPK.
Pala shitëse: Midami Limited është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Hong Kongut, zotëruese e 100% të kapitalit të shoqërisë target Arka Energy B.V.
Shoqëria target: Arka Energy B.V. është një shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Holandës, e cila ka si objekt kryesor të veprimtarisë së saj zhvillimin, ndërtimin, financimin dhe operimin, si dhe instalimin e centraleve të reja të prodhimit të energjisë, me qëllim shitjen e energjisë elektrike institucioneve shtetërore, industrive dhe/ose në bursën e energjisë elektrike, si dhe ushtrimin e të gjitha veprimtarive që lidhen me to.
Në Shqipëri, Arka Energy B.V. zotëron plotësisht shoqërinë Akerni Solar SHPK.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
