Pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar shkresa nr. 772 prot. i AK, datë 09.09.2026 “Njoftim i përqendrimit të realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të 100% të aksioneve të AlbDrilling SHA nga “IZVOR GROUP” SHA dhe kërkesë për përdorimin e Formularit të Thjeshtuar të Njoftimit”, nëpërmjet të cilës jemi njoftuar mbi përftimin e kontrollit të vetëm të shoqërisë AlbDrilling SHA nga shoqëria IZVOR GROUP SHA.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala blerëse: IZVOR GROUP SHA është një shoqëri aksionare, e cila ushtron kryesisht aktivitet tregtimi me shumicë të bitumit, solarit, mazutit; transport si një funksion kryesisht logjistik brenda grupit.
Shoqëria IZVOR GROUP SHA zotërohet indirekt nga znj. Yllkë Likometa nëpërmjet shoqërisë LISVORN HOLDING SHPK.
Pala shitëse: BOLV – OIL SHA është një shoqëri aksionare e regjistruar sipas legjislacionit shqiptar dhe me objekt aktiviteti:1- Tregti me shumicë të naftës dhe nënprodukteve te saj. Operacione të ndryshme portuale. Investime kapitale në fushën e ndërtimit. Ndërtime të rrugëve, kanalizimeve dhe objekteve civile dhe industriale (veprave publike të ndryshme), etj.
Shoqëria target: AlbDrilling SHA është një shoqëri aksionare e regjistruar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: gërmime, shpime për ekstraktim gurësh, rërash dhe dherave, nxjerja e naftës bruto, gazit natyror, rërës dhe shistit bituminoz. Veprimtari në fushën e industrisë së naftës, gazit e ujit si dhe në atë minerare që lidhen me: studime, projektime, kërkime, zbulime ekonturime, nxjerrje dhe zhvillime, shërbime e supervizime etj.
AlbDrilling ofron kryesisht shërbime shpimi me sonda, mirëmbajtje dhe riparim të puseve të naftës.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
