Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 28 prot., i AK, datë 12.01.2026, “Njoftim Përqendrimi”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar të përftimit të kontrollit indirekt të shoqërisë Swixx Biopharma Holding AG nga shoqëria SK Capital Partners, LP, nëpërmjet shoqërisë SKES Investment 17 S.à.r.l.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Blerësi: SKES Investment 17 S.à.r.l. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Luksemburgut, objekti i së cilës është mbajtja e aksioneve, në çdo formë, në Luksemburg dhe në shoqëritë e huaja dhe çdo formë tjetër investimi, përmes blerjes, abonimit ose çdo mjeti tjetër, si dhe transferimi me anë të shitjes, këmbimit ose çdo mjeti tjetër të titujve të çdo lloji etj.
SKES Investment 17 S.à.r.l. kontrollohet në mënyrë indirekte nga fonde të kontrolluara nga shoqëri të lidhura dhe të menaxhuara nga SK Capital Partners, LP.
Blerësi nuk ka prani në Shqipëri por ka realizuar të ardhura.
Shitësi: Janë 5 (pesë) shoqëri dhe 12 (dymbëdhjetë) persona fizikë.
Target: Swixx Biopharma Holding AG është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit zviceran, me objekt veprimtarie blerja, mbajtja, administrimi dhe tjetërsimi drejtpërdrejt ose tërthorazi i pjesëmarrjeve të çdo lloji, veçanërisht në fushën e shëndetësisë, si dhe mbështetja e ndërmjetësimeve dhe ofrimi i shërbimeve në të gjitha veprimtaritë e lidhura me to etj.
Swixx Biopharma Holding AG në Shqipëri vepron përmes filialit të zotëruar plotësisht indirekt prej saj shoqërinë AMICUS PHARMA SHPK.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
