Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 14 prot., i AK, datë 08.01.2026, “Konfirmim i Depozitimit të Dokumenteve”, ku jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit të shoqërisë FaceKom Korlátolt Felelősségű Társaság nga shoqëria 4iG Informatikai Zártkörűen Működő Részvénytársaság.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Blerësi: 4iG Informatikai Zártkörűen Működő Részvénytársaság (4iG Informatikai Zrt.) është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit hungarez, aktive në sektorin e IT-së, duke u fokusuar në teknologjinë e informacionit dhe integrimin e sistemeve për klientët. Ajo ofron dizajnin e sistemeve IT, zgjidhje të plotë për infrastrukturën digjitale, zhvillim të softuerëve kompleks, mbështetje për shërbime IT dhe mbështetje për iniciativa të transformimit digjital.
Kjo shoqëri është pjesë e grupit 4iG. Grupi 4iG është prezent në Shqipëri nëpërmjet shoqërisë ONE ALBANIA SHA.
Shitësi: Central European Opportunity Magántőkealap është një fond kapitali privat, i regjistruar pranë Bankës Kombëtare të Hungarisë.
Shoqëria Target: FaceKom Korlátolt Felelősségű Társaság (FaceKom Kft.) është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit hungarez, me aktivitet ofrimi i identifikimit digjital të klientëve në distancë, bazuar në njohjen e fytyrës përmes video, si dhe shërbimeve të lidhura për onboarding të klientëve dhe qendra virtuale të thirrjeve. Klientët e saj kryesorë përfshijnë banka, kompani sigurimesh, shërbime publike dhe disa entitete të zgjedhura të sektorit publik. FaceKom ofron gjithashtu shërbime të integruara të nënshkrimit elektronik, duke mundësuar identifikimin digjital të klientëve.
Target nuk operon dhe nuk gjeneron xhiro në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
