Sqarim publik lidhur me disa deklarata mbi vendimin e Autoritetit të Konkurrencës në tregun e grumbullimit të fruta-perimeve

Autoriteti i Konkurrencës, në funksion të transparencës dhe informimit të saktë të publikut, vlerëson të nevojshme të sqarojë disa elemente lidhur me deklaratat e bëra së fundmi në media në lidhje me vendimin e Komisionit të Konkurrencës për disa subjekte që ushtrojnë aktivitet në tregun e grumbullimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore.
Së pari, është e rëndësishme të sqarohet se vendimi i Komisionit të Konkurrencës nuk lidhet me marrëdhënie personale apo me ekzistencën e ndonjë bashkëpunimi formal mes subjekteve të hetuara, por me konstatimin e sjelljes së bashkërenduar në treg, e cila sipas ligjit përbën shkelje të rregullave të konkurrencës, pavarësisht nëse ndërmarrjet janë apo jo në marrëdhënie direkte me njëra-tjetrën. Ligji për mbrojtjen e konkurrencës ndalon çdo praktikë që synon ose sjell si pasojë koordinimin e sjelljes së ndërmarrjeve, edhe kur kjo ndodh në mënyrë të tërthortë.
Në këtë kuadër, pretendimi se “nuk ka pasur komunikim apo marrëveshje mes palëve” nuk përjashton ekzistencën e një sjelljeje të bashkërenduar, e cila vlerësohet mbi bazën e analizës ekonomike, strukturës së tregut dhe sjelljes reale të operatorëve në të.
Po ashtu, Autoriteti dëshiron të sqarojë se të gjitha subjektet e përfshira në procedurë, përfshirë edhe ato që sot shprehen publikisht, janë ftuar dhe kanë marrë pjesë në seanca dëgjimore pranë Autoritetit të Konkurrencës, ku kanë pasur mundësi të parashtrojnë qëndrimet, sqarimet dhe provat e tyre. Këto seanca janë të regjistruara sipas procedurës dhe çdo subjekt ka të drejtën të njihet me përmbajtjen e tyre, sipas parashikimeve ligjore.
Në lidhje me çështjen e ekzekutimit të gjobës, Autoriteti rikujton se, në përputhje me nenin 80 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, vendimet e Komisionit që vendosin gjoba përbëjnë tituj ekzekutivë, pavarësisht nga e drejta e subjekteve për t’i ankimuar ato në gjykatë. Ushtrimi i të drejtës së ankimit nuk e pezullon automatikisht zbatimin e vendimit, përveç rasteve të parashikuara shprehimisht nga ligji.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se qëllimi i ndërhyrjes së tij nuk është penalizimi i aktivitetit ekonomik, por garantimi i funksionimit të ndershëm të tregut, mbrojtja e fermerëve dhe konsumatorëve, si dhe parandalimi i praktikave që mund të shtrembërojnë konkurrencën. Në këtë kuadër, edhe ekspertët e fushës kanë vlerësuar se ndërhyrja institucionale ka kontribuar në stabilizimin e tregut dhe në shmangien e luhatjeve të pajustifikuara të çmimeve.
Autoriteti i Konkurrencës mbetet i hapur për dialog institucional dhe vijon të ushtrojë detyrën e tij në mënyrë të pavarur, profesionale dhe në përputhje të plotë me ligjin, në interes të funksionimit të drejtë të tregjeve dhe mbrojtjes së interesit publik.

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.

    Skip to content