Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjes SHPRESA – AL SHPK në tregun e transportit urban në Bashkinë Kamëz.
Ky vendim është marrë pas ankesave të depozituara pranë Autoritetit të Konkurrencës dhe shqetësimeve të bëra publike në media, lidhur me rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve të transportit urban.
Hetimi paraprak ka për objekt analizimin e kushteve të konkurrencës së lirë dhe efektive në tregun e transportit urban në Bashkinë Kamëz, veçanërisht për linjat:
- Kamëz – Tiranë – Kamëz
- Paskuqan – Babrru – Tiranë
Referuar dokumentacionit zyrtar të administruar, rezulton se ndërmarrja SHPRESA – AL SHPK është i vetmi operator i licencuar për ofrimin e shërbimit të transportit urban në këto linja, duke zotëruar kështu pozitë dominuese në treg, në kuptim të Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Nga vlerësimi paraprak i kryer nga Autoriteti i Konkurrencës, rezulton se nuk janë administruar analiza të plota ekonomike apo financiare që të provojnë se rritja e tarifave të biletave dhe aboneve është e mbështetur në rritje reale të kostove, është ekonomikisht e nevojshme dhe e justifikuar mbi baza objektive të tregut.
Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janar 2025 deri më 12 dhjetor 2025, me qëllim vlerësimin nëse sjellja e ndërmarrjes SHPRESA – AL SHPK mund të përbëjë kufizim, shtrembërim ose pengim të konkurrencës, në kuptim të Ligjit nr. 9121/2003.
Autoriteti i Konkurrencës do të vijojë me trajtimin e çështjes dhe do të informojë publikun për rezultatet e procedurës dhe çdo vendimmarrje të mëtejshme.
