Pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar shkresa nr. 940 prot. i AK, datë 28.10.2025 “Njoftim përqendrimi”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e blerjes së 98.185 % të aksioneve në shoqërinë QUMESHTI AJKA SHA nga shoqëria SAIMBEI SHPK.
Referuar dokumentit “Kontratë për shit-blerjen e aksioneve”, nënshkruar më datë 10 tetor 2025, palët në marrëveshje janë:
Blerësi: SAIMBEI SHPK, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar më datë 09.02.2016, me Nipt L61409047A, me objekt aktiviteti: studimin, projektimin, konsulencën, sipërmarrjen zbatuese dhe/ose investimin, sipas rastit, për realizimin me fonde publike dhe/ose jopublike të veprave me karakter shfrytëzimi dhe/ose administrimi, publike dhe/ose private si: ndërtimin e ndërtesave publike dhe private, rrugëve, urave, tuneleve, mbikalimeve e nënkalimeve, autostradave, traseve hekurudhore, dhe të gjitha veprave të tjera madhore, ujësjellësve, ujërave mbitokësore dhe nëntokësore për energjinë dhe telekomunikacionet, ndërtimin dhe rehabilitimin e veprave ujitëse, centralet, objektet turistike, objektet ushtarake, objektet e kultit, rrjetet inxhinierike, portet, aeroportet, objektet industriale, të gjitha restaurimet në përgjithësi, rikonstruksione të veprave të artit, montimet e konstruksioneve metalike; si dhe çdo ndërtim tjetër, etj.
Shoqëria zotërohet nga ortaku i vetëm, z. Flamur Behi.
Shitësi: T.T.A ALBA LAM SHPK, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar më datë 05.04.1993, me Nipt J62110001L, me objekt aktiviteti: shërbime të ndryshme si bar – restorante, hoteleri, lavanderi, shërbim taksi, transport klientësh dhe mallrash brenda dhe jashtë vendit, aktivitete turistike, katering, dhënie ambientesh me qira. Shërbim evente, seminare dhe pritje zyrtare. Import dhe eksport të mallrave, tregtimi i të gjitha llojeve të mallrave, etj, shërbime pastrimi gropash septike dhe kanalizimesh me makineri, shërbim me WC kimike, pastrim sipërfaqesh urbane dhe gjelbërim i tyre, transport ndërkombëtar mallrash, kryerja e investimeve në të gjitha fushat kryesisht për bar- restorant, hoteleri, punime të përgjithshme ndërtimi civile dhe industriale, rikonstruksione objektesh, punime në sheshe publike, rruge, trotuare punime për prishje, prodhim strukturash parafabrikate për të gjitha funksionet (fjetina, zyra, kampe, menca, vendroje) si dhe punime konstruksione metalike ku përfshihen të gjitha llojet e punimeve, punime alumini dhe xhami, druri, etj.
Shoqëria zotërohet nga ortaku i vetëm, z. Ilir Mata.
Target: QUMESHTI AJKA SHA është një shoqëri anonime, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar më datë 09.11.1195, me NUIS J61904048S, me objekt aktiviteti: grumbullim dhe përpunim qumështi dhe i nënprodukteve të tij, import eksport lëndësh të para ndihmëse dhe produkteve të gatshme, tregtim i produkteve ushqimore, shërbime tranziti dhe magazinash.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
