Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 33 prot. i AK, datë 10.01.2025 “Njoftim paraprak mbi përqendrimin me përftim kontrolli në zbatim të ligjit nr.9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar, i cili do të realizohet përmes ndryshimit të statutit të shoqërisë TIRANA BUSINESS UNIVERSITY SHPK.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala 1: Balfin – Balkan Finance Investment Group SHPK është një grup i diversifikuar investimesh, i angazhuar kryesisht në shitjen me pakicë, pasuritë e paluajtshme, veprimtarinë minerare dhe shërbimet bankare.
Pala 2: z. A. Hoxha, shtetas shqiptar.
Shoqëria target: TIRANA BUSINESS UNIVERSITY SHPK, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: ofrimi i studimeve të nivelit universitar dhe pasuniversitar në fushat e ekonomisë, administrimit të biznesit dhe jurisprudencës, etj.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.