Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 648 prot. i AK, datë 02.10.2024 “Përqendrimi me përftimin e kontrollit të Idemia Identity & Security France nga Imprimerie Nationale – Njoftim në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar të përftimit të kontrollit të shoqërisë Idemia Identity & Security France nga shoqëria IMPRIMERIE NATIONALE.
Referuar dokumenteve të depozituara, palët në transaksion janë:
Pala blerëse: IMPRIMERIE NATIONALE (IN) është një shoqëri anonime, e themeluar sipas legjislacionit francez, shoqëri holding e IN Group. IN është në pronësi të plotë të shtetit francez dhe është përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve të sigurta të identitetit në Francë (pasaporta, leje drejtimi, karta identiteti etj.).
Pala shitëse: Idemia France është një shoqëri aksionare e thjeshtuar, e themeluar sipas legjislacionit francez, e cila ofron produkte dhe shërbime të lidhura me sigurinë si: hyrje në makinë pa çelës, kartë SIM, teknologji për njohjen e fytyrës, digjital banking, menaxhim abonimi, etj. Idemia France u shërben institucioneve financiare, operatorëve celularë dhe industrive të sigurisë publike në mbarë botën.
Target: Idemia Identity & Security France S.A.S është një shoqëri aksionare e thjeshtuar, e themeluar sipas legjislacionit francez, me objekt aktiviteti: shfrytëzimi i të gjitha ndërmarrjeve që kanë të bëjnë me zbatimet e përgjithshme të teknologjive të informacionit, të elektronikës, të optikës dhe të kriptologjisë në fushat e sigurisë, veçanërisht për transaksionet elektronike dhe identifikimin e personave dhe të pasurive.
Targeti, nëpërmjet shoqërisë ALAET SHPK në Shqipëri ka realizuar të ardhura gjatë vitit 2023.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.