Në vijim të shqetësimeve të ngritura në media mbi zbatimin Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 987, datë 24.05.2023 “Për marrjen e masës së përkohshme për rivendosjen e konkurrencës në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës”, inspektorët e Autoritetit të Konkurrencës në datën 12.07.2023 u paraqitën përsëri pranë aeroportit ndërkombëtar të Tiranës për të monitoruar zbatimin e këtij vendimi.
Gjatë monitorimit është evidentuar se në zonën “Kiss & Fly” ose ndryshe zona 4 minutshe (pa pagesë) lejohen të kënë akses/hyrje të gjithë ndërmarrjet e taksive me ose pa pasagjerë për të marrë ose për të lënë udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Gjithashtu, ndërmarrja TIA SHPK, ka zbatuar të pikën “b” të VKK nr. 987/2023, për heqjen e tabelës me shkrimin “Ndalohet taksi pa pasagjerë”.
Theksojmë se, objekt i hetimit nga Autoriteti i Konkurrencës sipas Vendimit nr. 984, datë 11.5.2023 “Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport SHPK në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës”, lidhet me mundësinë për të lënë dhe për të marr pasagjerë me akses të palimituar dhe jo me vendqendrimin afat gjatë të taksive në këtë zonë.