Njoftim per shtyp

Më datë 29.05.2023, Autoriteti i Konkurrencës zhvilloi përpara Komisionit për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit të Shqipërisë seancën dëgjimore mbi raportimin vjetor të veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2022. Në këtë dëgjesë, Autoriteti i Konkurrencës u përfaqësua nga: z. Denar Biba, Kryetar, znj. Leida Matja, zëvendëskryetare dhe z. Durim Kraja, anëtar i Komisionit të Konkurrencës.
Në fjalën e tij Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, z. Biba u ndal në hapat e ndërmarra nga institucioni për sigurimin e një konkurrence të lirë dhe efektive në treg, në zbatim të ligjit nr. 9121, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, por dhe plotësimin e rekomandimeve të lëna në Rezolutën e Kuvendit për vlerësimin e veprimtarisë së AK për vitin 2021.

Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, z. Biba informoi Komisionin për Ekonominë dhe Financat se, gjatë vitit 2022 janë marrë 99 vendime nga Komisioni i Konkurrencës, çka përbën jo vetëm një rekord përgjatë 17 viteve të jetës së AK por tregon dhe punën e vazhdueshme të Autoritetit të Konkurrencës. Po ashtu gjatë këtij viti janë kryer 15 monitorime në tregjet sensitive dhe me ndikim të drejtpërdrejtë për mirëqenien e konsumatorit, si dhe janë realizuar 11 procedura hetimore, përkatësisht: në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë; në tregun me shumicë të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare; në tregun e barnave dhe pajisjeve mjekësore; në tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë të vajit vegjetal; në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike; në tregun ku operojnë subjektet financiare jo banka; në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Tirana International Airport; në tregun e ofrimit të shërbimit të instrumenteve matëse nëpërmjet instrumenteve shpërndarëse të karburanteve dhe gazit të lëngshëm; në tregun e prodhimit/importit dhe shitjes me shumicë të çimentos; në tregun e prodhimit të betonit në qarkun Tiranë, Durrës Elbasan; në tregun e prodhimit, transmetimit dhe shitjes në mënyrë digjitale të produkteve audio dhe video, tek operatorët kabllor (ripërsëritësit e programeve mbështetur në rrjet kabllor).

Pavarësisht se Autoriteti i Konkurrencës ka si parim të aktivitetit të tij, edukimin dhe jo vendosjen e gjobave për subjektet nën hetim, vlen të theksohet se, në përfundim të procedurave hetimore në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të plehrave kimike, në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto, në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të Tirana International Airport, si dhe në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, Autoriteti i Konkurrences ka vendosur 4 gjoba për shkelje të rënda të ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, në vlerën totale 224,225,947 (dyqind e njëzetë e katër million e dyqind e njëzetë e pesë mijë e nëntëqind e dyzetë e shtatë) Lekë, shumë kjo, që është më e madhja e vendosur në 5 vitet e fundit.
Kryetari i Autoriteti të Konkurrencës theksoi se ky institucion do të vijojë të përmbushë qëllimin e tij të përcaktuar në ligjin nr. 9121/2003, për të siguruar një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg, përmes monitorimeve, hetimeve dhe marrjen e masave të nevojshme në tregjet sensitive dhe me impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e konsumatorit shqiptar, do të vazhdojë përafrimin e legjislacionit në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe do të mbetet i angazhuar në promovimin e advokacisë së konkurrencës me palët e interesit.
Gjatë seancës dëgjimore, deputetët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat bënë pyetje të ndryshme, për të cilat morën dhe shpjegimet përkatëse nga Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës
Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, z. Eduard Shalsi shprehu mbështetjen maksimale për punën e bërë nga Komisioni i Konkurrencës. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit me AK përmes mbajtjes së komunikimit dhe koordinimit të vazhdueshëm me synim arritjen e qëllimeve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes së konkurrencës. Në këtë kuadër, si dhe një vit më pare, do të hartohet një rezolutë e cila pasi të miratohet nga Kuvendi, do ti vijë në ndihmë Autoritetit të Konkurrencës për adresimin e çështjeve të ngritura nga deputetët e Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari i Autoriteti të Konkurrencës theksoi se ky institucion do të vijojë të përmbushë qëllimin e tij të përcaktuar në ligjin nr. 9121/2003, për të siguruar një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg, përmes monitorimeve, hetimeve dhe marrjen e masave të nevojshme në tregjet sensitive dhe me impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e konsumatorit shqiptar, do të vazhdojë përafrimin e legjislacionit në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe do të mbetet i angazhuar në promovimin e vijueshëm të advokacisë së konkurrencës me palët e interesit.

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.