Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës autorizon marrëveshjen e licencës midis AMEX dhe Alpha Bank për lëshimin e kartave të kreditit American Express
Në mbledhjen e datës 10 qershor 2008, Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar Marrëveshjen e Licencës së lidhur midis American Express Limited (AMEX) dhe Alpha Bank A.E. Sipas kësaj marrëveshje American Express autorizon të licencuarin (Alpha Bank një bankë e themeluar në Greqi dhe që ka një rrjet degësh në Shqipëri) të drejtojë shërbimin e kartave të American Express në Shqipëri. Marrëveshja parashikon se Alpha Bank do të ketë ekskluzivitetin e lëshimit të kartave të kreditit American Expres në lekë për një periudhë 5 vjecare.
Zbatimi i marrëveshjes me American Express në tregun shqiptar pritet të kontribuojë në rritjen e ofertës në tregun e kartave; produkte të reja, të sofistikuar dhe më cilësore, që do të rrisin shumëllojshmërinë e tregut; hyrjen e një marke të re në treg, ofrimin e një produkti të ri dhe çmime të reja sipas nevojave të klientëve.
Zbatimi i kësaj marrëveshje pritet të ndikojë pozitivisht në treg, në shërbimin ndaj klientëve dhe në zhvillimet e mëtejshme të metodave të pagesës.
Marrëveshja e ekskluzivitetit të kartës AMEX përfshin ofrimin e shërbimit vetëm nga një bankë, por kjo nuk pengon ofrimin e këtij shërbimi nga banka te tjera dhe me licencues të tjerë (p.sh. siç janë Visa dhe MasterCard).
Në kushtet aktuale të sistemit tonë bankar, ku Alpha Bank nuk ka peshë të madhe në tregun bankar dhe në këtë produkt, nuk pritet që kjo marrëveshje te shkaktojë efekte anti-konkurruese.
Gjithashtu liria tregtare e blerësit, e të licencuarit ose e ndërmarrjeve të tjera nuk kufizohet, sepse të njëjtin produkt dhe shërbim atyre mund t’ju ofrohet nga kompanitë e tjera si Master dhe Visa.
Pra, si konkluzion, konkurrenca në tregun përkatës nuk kufizohet. Për këto arsye Komisioni i Konkurrencës, në mbështetje të nenit 7, pika 1 dhe nenit 50 të Ligjit Nr .9121, datë 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” përjashton për pesë vjet nga ndalimi i parashikuar në nenin 4 të Ligjit Nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, marrëveshjen e liçencës “American Express, Independent Agreement”.