Njoftime për shtyp

Në datë 12.05.2022, Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi seancën plenare ku Kryetari i Komisionit të Konkurrencës Z. Denar Biba, paraqiti raportin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2021.

Në fjalën e tij Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Z. Biba u ndal në hapat e ndërmarra nga institucioni për sigurimin e një konkurrence të lirë dhe efektive në treg, në zbatim të ligjit nr. 9121, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar”, por dhe plotësimin e rekomandimeve të lëna në Rezolutën e Kuvendit për vlerësimin e veprimtarisë së AK për vitin 2020.

Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, z. Biba informoi se përgjatë vitit 2021 janë marrë 94 vendime të formave të ndryshme si: autorizime, rekomandime, masa të përkohshme, gjoba, gjithashtu janë kryer 12 monitorime në: tregun e telefonisë celulare, prokurimet publike, sigurimeve, produktet paramjekësore, grurit dhe miellit, naftës bruto, vajit vegjetal, menaxhimit të faciliteteve të parkimit të “Tirana International Airport”, arsimit të lartë, FSHF dhe tregut digjital. 10 prej këtyre monitorimeve kanë kaluar në procedura: hetime për marrëveshje të ndaluara në tregun e shërbimeve bankare, në tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë të vaji vegjetal; në tregun e shitjes me shumicë dhe pakicë të produktet paramjekësore, në tregun e barnave dhe pajisjeve mjekësore, në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe imputeve bujqësore,  menaxhimit të faciliteteve të parkimit të  “Tirana International Airport”, tregu i prokurimeve, GLN, subjektet financiare jo banka,  si dhe një hetim i përgjithshëm në tregun e shërbimit spitalor.

Kryetari i Autoriteti të Konkurrencës paraqiti prioritetet e Institucionit për vitin 2022 dhe siguroi deputetët e nderuar të Kuvendit të Shqipërisë si dhe qytetarët Shqiptarë, se Autoriteti i Konkurrencës ka vëmendje maksimale ndaj situatës ku ndodhet vendi për shkak të krizës të sjellë nga lufta në Ukrainë, dhe nuk do të tolerojë në asnjë rast, fiksimin e çmimeve të padrejta, kufizimin e tregjeve apo investimeve, ndarjen e burimeve ekonomike me marrëveshje të paligjshme etj.., nga ana e operatorëve ekonomikë në treg.

Deputetët e opozitës gjatë diskutimeve theksuan se nevojitej një rol më aktiv i Autoritetit të Konkurrencës për kryerjen e analizave për tregun e hidrokarbureve dhe çmimeve të produkteve të shportës, duke marrë masa konkrete dhe vendosur gjoba për abuzuesit dhe mbrojtur interesin e qytetarëve.  Deputetët e mazhorancës argumentuan se çmimet nuk u rritën për arsye të tregut të brendshëm, por si pasojë e rritjes së çmimeve për shkak të krizës energjetike dhe invazionit rus në Ukrainë.

Zëvendëskryeministri, z.Arben Ahmetaj, në fjalën e tij deklaroi mes të tjerash se: “Të ardhurat shtesë janë shpërndarë, përmes subvencionit të sektorit energjetik në masën 200 milionë dollarë dhe përmes paketës sociale. Dhe do të vijojmë ti shpërndajmë. Asnjë qytetar apo biznes nuk paguan asnjë lekë më tepër për çmimin e rritur të energjisë. Spanja dhe Portugalia kanë kërkuar të dalin nga rregullat bazë të Unionit të Energjisë. Ne kemi marrë përsipër të paguajmë çdo lek të rritje së çmimit të energjisë. Statistikat tregojnë se ne kemi ndërhyrë drejtpërdrejt aty ku çmimet janë rritur, te shporta.”

Ndërkohë, Kryetari i Komisonit për Ekonominë dhe Financat z.Eduard Shalsi e vuri theksin tek fakti që Konkurrenca e lirë, ka impakt pozitiv jo vetëm mbi mirëqënien e konsumatorit por dhe për ekonominë e vendit në përgjithësi pasi një konkurrencë e lirë, sjell produktin tëk konsumatori me çmime konkurruese.

Përmes një projektrezolute të paraqitur nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat, Kuvendi i rekomandoi Autoritetit të Konkurrencës mes të tjerash: të orientohet drejt digjitalizimit të proceseve të monitorimit dhe hetimit të tregjeve; të nxisë komunikim më të mirë me publikun dhe të përmirësojë treguesit e transparencës; të angazhojë kapacitetet administrative të institucionit për intensifikimin e monitorimeve dhe përfundimin në një kohë të arsyeshme të procedurave hetimore jo vetëm në tregjet sensitive dhe me impakt të drejtpërdrejtë për mirëqenien e konsumatorit, por edhe në tregjet e tjera referuar rekomandimeve të BE-së dhe OECD-së, si në tregun e tregtimit të vajit vegjetal, tregun e tregtimit të karburanteve, tregun e shërbimeve të telefonisë celulare, barnat dhe pajisjet mjekësore; të mbajë në monitorim përqendrimin e autorizuar në tregun e telefonisë celulare; të përfshijë sa më parë ndryshimet për rishikim e ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të ndryshuar, në procesin e konsultimit publik, me qëllim paraqitjen e tyre në Kuvend brenda vitit 2022; të fokusohet në promovimin e mëtejshëm të kulturës së konkurrencës dhe komunikimin e vazhdueshëm me biznesin si dhe të intensifikojë marrëdhëniet me botën akademike për çështjet e rregullimit të tregut, me qëllim sigurimin e njohurive të nevojshme për shumë profesionistë në fushën e ligjit të konkurrencës;  të bëj vlerësimin ligjor dhe të japë asistencën e nevojshme për ndihmën shtetërore, për plotësimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor, si dhe të bëjë vlerësime ex-post për rastet e dhënies të ndihmës shtetërore kur ka shqetësime për konkurrencën;  të bashkëpunojë me institucionet homologe të Bashkimit Evropian për të huazuar praktikat më të mira në fushën e konkurrencës dhe të sigurojë asistencën e ekspertëve ndërkombëtare për çështje me rëndësi, etj.

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.