Njoftime për shtyp

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 26.10.2022, mori Vendimin nr. 918 për gjobitjen e ndërmarrjes Bankers Petroleum Albania LTD në vlerën 19,863,145 (nëntëmbëdhjetë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e njëqind e dyzet e pesë) Lekë, për moszbatim të Vendimeve të Komisionit të Konkurrencës nr. 702, datë 30.07.2020 dhe nr. 793, datë 22.04.2021.

Gjatë shqyrtimit të çështjes nga Komisioni i Konkurrencës, rezultoi se Ndërmarrja Bankers Petroleum Albania LTD, e cila ka pozitë dominuese në prodhimin e naftës bruto në Republikën e Shqipërisë, nuk ka zbatuar vullnetarisht detyrimin sipas pikave II dhe IV të VKK nr. 702/2020 dhe VKK nr. 793/2021, për të aplikuar kushte tregtimi të barabarta për veprime tregtare të njëjta ndaj ndërmarrjeve me të cilat hyn në marrëdhënie kontraktore.

Gjithashtu Bankers Petroleum Albania LTD nuk ka përmbushur detyrimet e dhëna sipas pikës III të VKK nr. 702/2020 dhe VKK nr. 793/2021 në lidhje me operacionet hidrokarbure gjatë vitit 2021 dhe periudhës janar – korrik 2022, si dhe për kostot dhe prodhimin e naftës gjatë muajit korrik 2022, pasi të dhënat janë depozituar pas përfundimit të procedurës së monitorimit, sjellje kjo e ndëshkueshme në kuptim të nenit 74, pika c), të ligjit nr. 9121/2003.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi, si në vijim:

I. Konstatimin e moszbatimit të Vendimeve të Komisionit të Konkurrencës nr. 702, datë 30.07.2020 dhe nr. 793, datë 22.04.2021, nga ndërmarrja Bankers Petroleum Albania LTD.
II. Gjobitjen e ndërmarrjes Bankers Petroleum Albania LTD për moszbatim të Vendimeve të Komisionit të Konkurrencës nr. 702, datë 30.07.2020 dhe nr. 793, datë 22.04.2021 nga ndërmarrja Bankers Petroleum Albania LTD, në vlerën 19,863,145 (nëntëmbëdhjetë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e njëqind e dyzet e pesë) Lekë.
III. Mbylljen e procedurës së monitorimit në zbatim të VKK nr. 702, datë 30.07.2020 “Për mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Bankers Petroleum Albania LTD në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto dhe dhënien e disa detyrimeve dhe rekomandimeve për ndërmarrjen Bankers Petroleum LTD, Albpetrol dhe AKBN”, dhe VKK nr. 793, datë 22.04.2021 “Mbi monitorimin e zbatimit të Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 702, datë 30.07.2020, nga Bankers Petroleum Albania LTD”.

Për më tepër, ju lutem konsultohuni me faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në https://caa.gov.al/.

 

Njoftim_per_shtyp_Bankers

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.