Njoftim për pezullimin e ekzekutimit të vendimit nr. 572 të Komisionit të Konkurrencës “Për vendosje gjobe dhe detyrime ndaj ndërmarrjes EKMA në tregun e qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës”

Autoriteti i Konkurrencës në përfundim të hetimit të thelluar në tregun e qiradhënies të ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës, me Vendimin nr. 572, datë 22.11.2018 “Për vendosje gjobe dhe detyrime ndaj ndërmarrjes EKMA në tregun e qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës”, vendosi gjobitjen e ndërmarrjes me 9.9% të xhiros vjetore dhe detyrimin për ndalimin e shkeljes së konkurrencës nëpërmjet masave përkatëse.

Ndaj këtij vendimi është kërkuar sigurimi i padisë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe gjyqtari z. Avni Sejdi e ka rrëzuar kërkesën për sigurimin e padisë me Vendimin e datës 27.12.2018. Në po këtë Gjykatë është përsëritur kërkesa për sigurimin e padisë nga ndërmarrja “EKMA Albania” SHPK dhe po i njëjti gjyqtar me Vendimin e datës 10.01.2019 vendos pranimin e sigurimit të padisë duke pezulluar Vendimin e Komisionit të Konkurrencës nr. 572, datë 22.11.2018, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

Vendimi i Gjykatës që pezullon ekzekutimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 572, datë 22.11.2018, i jep të drejtën ligjore ndërmarrjes që ka monopolin në tregun e qiradhënies të ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës që deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes të mos paguajë gjobën (9.99% të xhiros vjetore) për shkelje të rëndë të konkurrencës dhe të vijojë me moszbatimin e detyrimeve të lëna nga Autoriteti për shkelje të konkurrencës duke vijuar kështu:

1. Të vazhdojë të operojë me kontrata të njëanshme që nuk janë në përputhje me dispozitat e Kodit Civil për qiratë, duke vendosur palët, qiramarrësin dhe qiradhënësin në kushte të pabarabarta kontraktuale në zbatim të ligjit dhe zakoneve të mira tregtare;
2. Të vijohet me çmimet e larta ndaj qiramarrësve dhe mos të ketë çmime sipas zonës gjeografike apo të orientuara drejt kostos;
3. Qiradhënësi mos të ketë transparencë në detajimin e zërave dhe vlerave përkatëse që përfshihen në faturën e qirasë së ambientit;
4. Qiradhënësi të vazhdojë me faturimin mbi çmimin ligjor të miratuar nga institucionet kompetente (OSHEE dhe UKT) për faturat e dritave dhe ujit për qiramarrësit.

Pasojat e sigurimit të padisë deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes do të jenë shumë të rënda për konkurrencën në këtë treg, për këtë arsye Autoriteti i Konkurrencës do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për mbrojtjen e Vendimit të tij dhe konkurrencës në treg.

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.