Rasti: Krijimi i një ndërmarrje të përbashkët me funksione të plota nga shoqëritë Daimler Truck AG dhe Aktiebolaget Volvo.

Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 763 prot. i AK, datë 19.11.2024 “Njoftimi i Përqendrimit ndërmjet Daimler Truck AG, Aktiebolaget Volvo / Joint Venture”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me krijimin e një ndërmarrje të përbashkët / joint – venture me funksione të plota nga shoqëritë Daimler Truck AG dhe Aktiebolaget Volvo.

Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:

Pala 1: Daimler Truck AG është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit gjerman, në pronësi të plotë të Daimler Truck Holding AG. Daimler Truck zhvillon, prodhon dhe shpërndan kamionë dhe autobusë dhe ofron shërbime të lidhura për klientët e saj në mbarë botën.

Daimler Truck AG nuk ka prezencë ligjore të regjistruar në Shqipëri, por realizon të ardhura nëpërmjet një distributori të pavarur.

Pala 2: Aktiebolaget Volvo është një shoqëri publike e kufizuar, e themeluar sipas ligjeve të Mbretërisë së Suedisë dhe është shoqëria mëmë e Grupit Volvo. Volvo është aktiv në tregun ndërkombëtar për prodhimin dhe shitjen e kamionëve për rrugë dhe terrene të vështira, autobusëve, pajisjeve të ndërtimit dhe motorëve për det, rrugë dhe terrene të vështira dhe motorëve industrialë.

Volvo nuk ka filial, degë apo zyrë përfaqësimi në Shqipëri, por realizon të ardhura nëpërmjet distributorëve të saj të autorizuar.

Ndërmarrja e përbashkët (JV) do të krijohet në formën juridike të një korporate aksionare sipas ligjeve të Suedisë, e zotëruar bashkërisht nga Daimler Truck dhe Volvo.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin  10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.

Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.     

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.