Njoftim për shtyp

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 26.10.2023, mori në shqyrtim raportin e hetimit paraprak në tregun e prokurimit publik ndaj ndërmarrjeve  Raimondo G.P SHPK dhe Li.Bo – Albania Branch SHPK.

Gjatë vlerësimit të sjelljes së ndërmarrjeve u vu re se, ndërmarrjet mund të përdorin skemën e ofertës së mbuluar duke rënë dakord që njëri nga konkurrentët të paraqesë një ofertë e cila përmban terma specifike të cilat janë të papranueshme nga autoriteti kontraktues.

Si përfundim, bazuar në nenin 4, pika 1, të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, sipas të cilit ndalohen të gjitha marrëveshjet, që kanë si objekt, ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, si dhe Udhëzimin “Mbi luftimin e marrëveshjeve të ndaluara në oferta në prokurimet publike”, sjellja e ndërmarrjeve: Raimondo G.P SHPK dhe Li.Bo – Albania Branch SHPK, në tregun e prokurimit me objekt “Blerje pajisje instrumente, vegla elektrike dhe digjitale (pajisje për kontrollin dhe matjen e mbrojtjes katodike CIPS dhe DCVG)”, të zhvilluara nga autoriteti kontraktues, Albanian Gas Services Company SHA, hedh dyshime për kufizime të mundshme të konkurrencës nëpërmjet një marrëveshjeje të dyshimtë në oferta midis tyre.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1026, datë 26.10.2023, vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prokurimit publik ndaj ndërmarrjeve Raimondo G.P SHPK dhe Li.Bo – Albania Branch SHPK. Hetimi i thelluar do të përfshijë periudhën kohore nga 26 Shtator 2022 deri në 26 Tetor 2023.

Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës, mori në shqyrtim 2 njoftime përqendrimi.

  1. Përqendrimi i realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të Biznesit Target të shoqërisë Artemis OOD nga shoqëria Smurfit Kappa Bulgaria EOOD.
  2. Përqendrimi i realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë ABO Wind WP Flechtdorf GmbH & Co. KG nga SK Wind GmbH & Co. KG.

Përqendrimet e njoftuara nuk krijojnë mbivendosje ose marrëdhënie të rrjedhës së sipërme apo të poshtme midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar dhe për këto arsye, nuk do të sjellin asnjë ndryshim dhe nuk do të kenë ndikim në tregun shqiptar.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 1027, datë 26.10.2023, vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të Biznesit Target të shoqërisë Artemis OOD nga shoqëria Smurfit Kappa Bulgaria EOOD dhe me Vendimin nr. 1028, datë 26.10.2023, vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë ABO Wind WP Flechtdorf GmbH & Co. KG nga SK Wind GmbH & Co. KG.

Për më tepër, ju lutem konsultoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në http://caa.gov.al.

Shkarko Njoftimin

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.