Autoriteti i Konkurrencës ka hedhur një tjetër hap në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve, duke vënë në dispozicion në faqen zyrtare të internetit dritaren e përmirësuar “Ankesa”, përmes së cilës çdo qytetar apo ndërmarrje mund të paraqesë në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt çdo ankesë për shkelje të mundshme të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.
Platforma e përmirësuar u mundëson ankuesve:
1. Të paraqesin ankesën në mënyrë elektronike në çdo kohë;
2. të zgjedhin nëse dëshirojnë të jenë anonimë ose të identifikohen;
3. të bashkëngjisin sa më shumë dokumente apo prova që mund të ndihmojnë Autoritetin në vlerësimin e rastit.
Çdo ankesë regjistrohet automatikisht në sistemin elektronik të institucionit dhe trajtohet sipas procedurave ligjore në fuqi.
Nëse keni dijeni për marrëveshje të ndaluara mes ndërmarrjeve, abuzim me pozitën dominuese apo praktika të tjera që dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorin, tashmë mund ta raportoni lehtësisht, në fare pak çaste, përmes faqes zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës.
Autoriteti i Konkurrencës fton qytetarët dhe bizneset të përdorin këtë mundësi të re të përmirësuar komunikimi dhe të kontribuojnë aktivisht në mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe funksionimin e drejtë të tregut.
