Sqarim mbi disa të dhëna të publikuara nga media lidhur me vendimet e fundit të Autoritetit të Konkurrencës

Autoriteti i Konkurrencës vlerëson rolin e medias në informimin e publikut dhe kontribuon gjithmonë me transparencë në çështjet që lidhen me funksionimin e tregjeve dhe mbrojtjen e konkurrencës së ndershme. Në vijim të disa publikimeve të fundit mbi vendimet e Komisionit të Konkurrencës në tregun e grumbullimit të frutave dhe perimeve, dëshirojmë të saktësojmë disa elementë të rëndësishëm të faktit dhe të procedurës.

  1. Objekti i hetimit të thelluar përfunduar më 26.11.2025

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e datës 26.11.2025, miratoi vendimet nr. 1234–1239, me të cilat konstatoi se një grup ndërmarrjesh grumbulluese – Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK – kishin bashkërenduar sjelljen gjatë periudhave të sezonit, duke diktuar çmimet në dëm të fermerëve prodhues dhe duke aplikuar marzh fitimi (mark-up) të lartë, deri në 115%.

Objekt i këtij hetimi, i nxitur kryesisht nga ankimet e fermerëve lokalë, ishte “grumbullimi dhe shitja me shumicë e fruta perimeve” dhe subjekte të këtij hetimi rrjedhimisht ishin ndërmarrjet që ushtronin veprimtari grumbulluese dhe shitëse.

  1. Pse ndërmarrja EKMA Albania SHPK nuk ishte subjekt i këtij hetimi

Ndërmarrja EKMA Albania SHPK nuk ushtron aktivitet grumbullimi të produkteve bujqësore, por operon në tregun e qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve agro-ushqimore në Tiranë. Për këtë arsye, subjekti nuk bën pjesë në tregun përkatës që ishte objekt i hetimit të përfunduar në nëntor 2025.

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar Autoritetin e Konkurrencës që, në të shkuarën, të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore ndaj çdo subjekti, përfshirë EKMA Albania SHPK, sa herë që janë konstatuar shkelje në tregun ku ky subjekt operon. Nuk e pengon as për hapjen e një hetmi të ri, në të ardhmen.

  1. Mbi vjelen e gjobës ndaj EKMA Albania SHPK

Në lidhje me pretendimin per ekzekutimin e vetëm një pjese të vogël të gjobës së vendosur ndaj EKMA Albania sh.p.k., për korrektesë dhe transparencë, sqarojmë sa vijon:

– Me Vendimin nr.572, datë 22.11.2018, Komisioni i Konkurrencës vendosi gjobë ndaj EKMA Albania SHPK për abuzim me pozitën dominuese në tregun e qiradhënies së ambienteve për magazinimin dahe tregtimin e produkteve agro-ushqimore në Tiranë.

  • Vlera e gjobës ishte 43,168,617 lekë.
  • Pas zhvillimit të një beteje ligjore si në Gjykatën e Shkallës së Parë, ashtu edhe në atë të apelit, vendimi i Komisionit të Konkurrencës për gjobitjen e EKMA Albania sh.pk. mbeti në fuqi.
  • Menjëherë, Autoriteti i Konkurrencës vendosi në lëvizje shërbimin përmbarimor dhe, prej kohësh, ka ekzekutuar 100% të vlerës së gjobës, e cila i ka kaluar buxhetit të shtetit.

Ky element është i rëndësishëm për të theksuar se zbatimi i vendimeve të Autoritetit të Konkurrencës është i plotë dhe nuk ka asnjë rast të papërmbyllur nga ana e institucioneve përgjegjëse.

Autoriteti i Konkurrencës mbetet i angazhuar të garantojë konkurrencë të ndershme dhe funksionimin efikas të tregjeve.

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.

    Skip to content