Gjobitja e një grupi kompanish grumbulluese të produkteve bujqësore: një hap i rëndësishëm në mbrojtje të fermerëve dhe konkurrencës së ndershme.

Autoriteti i Konkurrencës përfundoi vlerësimin e praktikave në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta–perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, pas një procedure të thelluar hetimore që zgjati gati dy vite dhe përfshiu monitorimin e tregut, hetimin paraprak dhe hetimin e thelluar.

Në mbledhjen e datës 26.11.2025, Komisioni i Konkurrencës miratoi vendimet nr. 1234–1239, me të cilat konstatoi se një grup ndërmarrjesh grumbulluese – Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK – kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë periudhave të sezonit, duke diktuar çmimet në dëm të fermerëve dhe duke aplikuar mark-up (shtesë mbi kosto) shumë të lartë, deri në 115%.

Kjo sjellje e bashkërenduar përbën marrëveshje të ndaluar sipas nenit 4 të ligjit nr.9121/2003 dhe është cilësuar si shkelje e rëndë, për të cilën Komisioni ka vendosur gjoba deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës.

Pse ky vendim është i rëndësishëm për fermerët në gjithë Shqipërinë

Hetimi i thelluar tregoi se disa grumbullues, falë fuqisë së tyre negociuese, kishin krijuar një situatë ku fermerët shpesh përballeshin me:

  • çmime të diktuara e të koordinuara,
  • dyer të mbyllura për negocim,
  • varësi të tepruar nga pak blerës,
  • presione për uljen e çmimeve,
  • dhe shlyerje të vonuara të pagesave.

Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë këto problematika dheforcon pozitat e fermerëve në treg, duke krijuar kushte për:

  • çmime më të drejta e më transparente,
  • konkurrencë të ndershme mes grumbulluesve,
  • mundësi reale zgjedhjeje për fermerët,
  • pagesa më të sigurta dhe marrëdhënie më të balancuara kontraktuale,
  • frenimin e skemave të koordinuara që dëmtonin të gjithë tregun kombëtar.

Për më tepër, megjithëse gjobiten 6 ndërmarrje,efekti i vendimit shtrihet në të gjithë tregun kombëtar, sepse:

  • sjell qartësi mbi praktikat e ndaluara,
  • vendos standarde të reja për transparencën e çmimeve,
  • synon disiplinimin e tregut të fruta-perimeve,
  • dhe nxit konkurrencën e ndershme për të gjithë aktorët.

Kjo është një ndërhyrje strukturore me impakt të drejtpërdrejtë në zinxhirin ushqimor dhe një sinjal i qartë se Autoriteti i Konkurrencës mbron interesat e fermerëve, një kategori që shpesh përballet me pabarazi të theksuar në negociata.

Detyrime dhe masa korrigjuese për grumbulluesit

Komisioni ka urdhëruar ndërmarrjet e gjobitura që:

  • të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet aktuale të produkteve që grumbullojnë,
  • të jenë subjekt monitorimi për 1 vit nga Autoriteti i Konkurrencës.

Këto masa synojnë rritjen e transparencës dhe krijimin e një tregu më të drejtë për fermerët.

Rekomandime për Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Me vendimin nr. 1240, Komisioni i Konkurrencës ka adresuar institucionet përgjegjëse me rekomandime të rëndësishme për reformimin e tregut, përfshirë:

  • minimizimin e informalitetit në gjithë zinxhirin e tregtimit,
  • hartimin e një baze të re ligjore në përputhje me standardet e BE,
  • krijimin e një platforme kombëtare online të çmimeve (bursë agro-ushqimore),
  • vendosjen e kontratave të detyrueshme dhe të standardizuara,
  • dhe bashkëpunimin për transpozimin e Direktivës së BE për praktikat tregtare të padrejta (UTP).

Nëpërmjet këtyre vendimeve, Autoriteti i Konkurrencës vijon përmbushjen e misionit të tij për të garantuar konkurrencë të lirë dhe të ndershme, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e fermerëve, rritjen e transparencës dhe funksionimin më të drejtë të tregut agro-ushqimor në Shqipëri

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.

    Skip to content